1900 ha nën ujë në Shkodër, Oboti zona më e prekur

Share

Vijon të jetë e rënduar situata në disa zona të Shkodrës për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut në ditët e fundit.

Në raportimin e përditësuar të Bashkisë më të madhe në veri të vendin bëhet me dije se aktualisht një sipërfaqe prej 1900 hektarësh vijon të jetë nën ujë, duke përfshirë këtu dhe tokë të kultivuar.

Nga monitorimi terren është konstatuar se hidrometri në Dajç e ka kaluar tashmë kuotën maksimale prej 6.30 m. Po ashtu dhe në liqenin e Shkodrës ai ka arritur ekstremin e tij të lejuar.

Rruga e Obotit vazhdon të jetë e bllokuar për mjetet e vogla, ndërkohë që jashtë funksionit është dhe ujësjellësi Oblika 1. UKSH ka furnizuar me uje te pijshëm banore të fshatit Oblikë.

Në fshatin Obot, Muriqan (lagjia Goricë) janë magazinuar dhe sot fillon shpërndarja sipas listës përfituese të hartuar nga Administratori i Nj. Adminstrative Ana e Malit 8 tonë misër donacion.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Në fshatin Shirq janë magazinuar dhe sot fillon shpërndarja sipas listës përfituese të hartuar nga Administratori i Nj. Adminstrative Dajç rreth 28 tonë misër donacion.

Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.

Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.


Share

Komente