20 të vdekur në Dnipro, breshëri i raketave ruse shkatërron godinën e banimit
Në Dnipro vijojnë operacionet e shpëtimit në rrënojat e godinës 9-katëshe të goditur nga raketa ruse. Grupet e emergjencës po i transportojnë të lënduarit me barelë. Operacioneve u janë bashkuar edhe banorët e zonës, të cilët po pastrojnë rrënojat.
“A është e mundur të ndalet terrorizmi rus? Po, është. A mund të bëhet në rrugë tjetër veç fushës së betejës? Fatkeqësisht, jo. Çfarë na duhet për t’ia arritur qëllimit? Armët që partnerët tanë kanë në depot e tyre, të cilat po i presin luftëtarët tanë”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
Deri tani, si pasojë e breshërisë së raketave ruse në Dnipro llogariten të paktën 20 të vdekur.
Ndërkohë, në veri-lindje të Ukrainës, në rajonin e Kharkivit, raketat ruse kanë goditur infrastruktura të rëndësishme industriale.
Për pasojë, në Kharkiv por edhe rajone të tjera ka pasur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Sulmet e fundit të ditës së shtunë tregojnë se Rusia është e prirur të ndjekë opsionin ushtarak.