36% e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë paguhen me para në dorë

Shpërndaje lajmin

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës, manifestim i cili lindi nga përpjekjet e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejta dhe kushte më të mira të punës.
Me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta socio-ekonomike ka prezantuar disa hulumtime në lidhje me  të drejtat e punëtorëve në vendin e punës.
Sipas këtyre hulumtimeve është vërejtur se pagesa e punonjësve me para në dorë është ende e pranishme në tregun e punës, faktor ky që lidhet drejtpërdrejt me shkallën e lartë të informalitetit në Kosovë.
Nga rreth 5 mijë punonjës të anketuar, ka rezultuar që 36% e tyre paguhen me para të gatshme.
Kjo infografikë është realizuar në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike, që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.
Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta socio-ekonomike thotë se niveli i ulët i zbatimit të legjislacionit në fushën e punës tashmë është evident, me theks të veçantë në sektorin privat duke filluar nga mungesa e kontratave të punës, shkelje të kontratave ekzistuese të punës, mohimi i lejes së lehonisë, mungesa e kushteve bazë të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, pjesëmarrja e lartë e informalitetit në punë, e deri tek mungesa e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore.
Sipas tyre, niveli i ulët i zbatimit të legjislacionit në mënyrë direkte lidhet me mungesën e monitorimit të zbatimit të kornizës legjislative nga organet relevante, gjegjësisht nga Inspektorati i Punës./Telegrafi

Leave a Reply

Your email address will not be published.