Shpërndaje lajmin

Një raport i ri i publikuar nga 15 organizata për lirinë e medias, partnere të platformës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve tregon se numri i të dhënave për kërcënime serioze ndaj lirisë së shtypit në vendet anëtare u rrit vitin e kaluar me 41 për qind, duke shkuar nga 200 raste në 2020-n në 282 në 2021-shin.
Duke shprehur shqetësimin e saj për konstatimet e raportit, sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, dënoi sulmet ndaj gazetarëve. Ajo vuri në dukje shënjestrimin e reporterëve nga ushtria ruse gjatë agresionit në Ukrainë, që ka çuar në vdekjen e shumë prej tyre.
Burić gjithashtu u kujtoi qeverive të ndryshme përgjegjësinë e tyre në mbrojtjen e përfaqësuesve të medias, përfshirë në kohë lufte.
Sekretarja e përgjithshme vlerësoi më tej punën e gazetarëve që po raportojnë në terren për luftën në Ukrainë, shpesh herë duke vënë jetën në rrezik, në mënyrë që të informojnë publikun me informacion të dorës së parë mbi konfliktin e armatosur dhe pasojat dramatike të tij.
Në raport shprehet shqetësim i veçantë për rritjen e rasteve të frikësimit, abuzimeve me paditë gjyqësore për t’i mbyllur gojën mediave dhe ligjeve të rrepta që miratohen nën pretekstin e luftimit të të ashtuquajturave “lajme të rreme”.
Shqetësime ka edhe sa i takon kapjes së mediave nga qeveritë në vende të ndryshme dhe konsolidimit të mediave miqësore me qeverinë, pa harruar kërcënimet në adresë të gazetarëve që vijnë nga krimi i organizuar dhe nga mbikëqyrja e tyre elektronike./Euronews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *