September 20, 2021

428 persona dyshohet të jenë helmuar nga uji në Deçan

Shpërndaje lajmin

Në qytetin e Deçanit të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”, përcjell albinfo.ch.

Me simptomat si marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.

Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.

“Kemi disa ditë që uji nuk po vjen normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje, i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.

Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.

“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.

Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.

 

Ujësjellësi ndërpreu ujin deri në publikimin e rezultateve të testimit

 

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve me simptoma të ngjashme.

Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.

“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.

Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.

Ndërkaq, drejtori Berisha tha se në koordinim edhe me organet e komunës, janë duke shqyrtuar të bëjnë apel që në gjithë Deçanin të mos pihet uji deri sa të kuptohet nëse uji është shkaktar i helmimit.

Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.

Zyrtarë të Komunës së Deçanit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të deritanishme për koment lidhur me këtë çështje.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *