45 vite rrobaqepës, Shemsi Islami rrëfen për pasionin dhe punën e tij në Peshkopi
Ky është Shemsi Islami, rrobaqepësi i vetëm në qytetin e Peshkopisë që qep kostume dhe pallto për burra dhe gra.
Është një punë që ai e bën prej 45 vitesh.
“Kam filluar fillimisht në qytetin e Peshkopisë për 4-5 vjet. Bëra specializimin në Tiranë në ish shkollën komunale siç i thoshin dikur dhe me mbarimin e specializimit kam punuar në komunale ,përgjegjës në zonën e Maqellarës kur komunalja filloi të shtrihej Maqellarë, Kastriot e zona te tjera dhe deri në 93 përfundova 9 vjet në Maqellarë. Pas 93 u shpërngula përfundimisht në Peshkopi”, tregon ai.
Siç edhe Shemsiu rrëfen, pasioni për rrobaqepësinë lindi që në rininë e hershme dhe qëndron ende gjallë, kur ai është në prag pensioni.
“Në fshatin tim Herbel që unë kam lindur kishte rrobaqepës që punonin dikur jo myslimanë, por bashkëjetesa te ne në Shqipëri ka qenë gjithmonë e mirë dhe kur shikoja keto njerëz që e kishin pasion dhe në fillimet e mia bëja diçka të vogël për moshën e re, më pëlqente dhe që atë ditë unë e kam me pasion dhe kam edhe 1 vit e gjysmë për të dal në pension dhe mendoj sa të jemi mirë do ta vazhdoj këtë zanat”, shprehet Shemsiu.
Ai sot krenar tregon se profesionin e tij ua ka trashëguar dhe dy djemve.
“Kam trashëguar te 2 djemtë këtë lloj profesioni, njëri është në Itali, në Venecia, tjetri është në një firmë Italiane këtu në Shqipëri dhe drejton një fasoneri për cilësinë, sepse pronar është dikush tjetër dhe jam munduar që ta trashëgojmë deri diku”, thotë ai.
E kur flitet për klientët e tij, rrobaqepësi e bazon marrëdhënien e tij në shtylla, cilësia dhe korrektësia e punës që bën.
Emigracioni, është në gjykimin e Shemsiut, një plagë që dhemb në shoqërinë shqiptare, ndaj ai apelon që të rinjtë ti përkushtohen profesioneve dhe të shërbejnë në vendin e tyre.