October 20, 2021

5 herë tek e njëjta kompani, sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në Durrës

Shpërndaje lajmin

Një sasi prej 10 kilogramësh kokainë u sekuestruan nga policia në Durrës në kontejnerët e të njëjtës kompani import-eksporti. Droga ishte fshehur në të njëjtin vend në kontejnerët e bananeve si në rastet e mëparshme.  

Sasia e drogës e kapur në Durrës. Foto Policia e Shtetit.

Policia e Durrësit sekuestroi të martën një tjetër sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, në vijim të 4 operacioneve të mëparshme në portin e qytetit në kontejnerët e së njëjtës kompani.

Gjatë kontrollit në kontejnerët me banane të ardhura për kompaninë “Alba Exotic Fruit”, policia gjeti 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.

Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Rada” dhe që ka nisur më 13 korrik të këtij viti, policia ka realizuar edhe 4 sekuestrime të tjera në muajt e fundit.

Sipas policisë lënda narkotike u gjet ditën e martë në 2 prej kontejnerëve me banane të ardhura nga Ekuatori dhe sasia ishte fshehur njësoj si edhe në 4 ngarkesat e para në pjesën fundore të kontejnerëve, tek kapakët e motorëve frigoriferikë.

Policia njoftoi se operacioni u realizua nga Task-Forca e vendosur në Portin e Durrësit dhe shtoi se për rastin po vijon hetimet nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të SPAK-ut.

Pesha totale sipas të dhënave të publikuara pas 5 operacioneve nga policia është 43 kilogramë. Më hërët në këtë port janë kapur sasi edhe më të mëdha, si ajo e 18 qershorit, ku brenda një kamioni që vinte nga Maqedonia e Veriut u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.

Pas rastit të parë të drogës në kontejnerët e kësaj kompanie policia bëri me dije për mediat arrestimin e njërit prej aksionarëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Barjon Gumenit dhe shpalli në kërkim aksionerin tjetër, Eduard Dauti.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *