50 vitet e fundit me shumë studime shkencore, por pak zbulime revolucionare

Shpërndaje lajmin

Numri i hulumtimeve shkencore dhe teknologjike të botuara është rritur në qiell gjatë dekadave të fundit – por “zbulimet revolucionare” kanë rënë.

Të dhënat nga miliona botime tregojnë se, krahasuar me mesin e shekullit të njëzetë, kërkimet e bëra në vitet 2000 kishin më shumë gjasa ta shtynin shkencën përpara në mënyrë graduale, sesa të hapnin shtigje të reja duke “vjetëruar” punimet e mëparshme. Analiza e patentave nga viti 1976 deri në vitin 2010 tregoi të njëjtin trend.

“Të dhënat sugjerojnë se diçka po ndryshon,” thotë Russell Funk, një sociolog në Universitetin e Minesotës në Minneapolis dhe bashkautor i analizës, e cila u botua më 4 janar në Nature.

“Nuk e kemi të njëjtin intensitet të zbulimeve siç e kemi pasur dikur”, tha ai.

Një nga elementet për të llogaritur se sa “revolucionare” janë hulumtimet, është se sa citohen ato në hulumtimet e mëvonshme nga e njëjta fushë. Duke llogaritur të dhënat e citimeve nga 45 milionë botime dhe 3.9 milionë patenta, studiuesit erdhën në përfundim se ato të gjysmëshekullit të fundit citohen më pak se sa botimet e mëhershme.

“Është fantastike të shohësh këtë [dukuri] të dokumentuar në një mënyrë kaq të përpiktë,” thotë Dashun Wang, një shkencëtar social kompjuterik në Universitetin Northwestern në Evanston, Illinois, i cili studion zbulimet në shkencë.

Hulumtime të tjera kanë sugjeruar se inovacioni shkencor është ngadalësuar gjithashtu në dekadat e fundit, thotë Yian Yin, gjithashtu një shkencëtar social kompjuterik në Northwestern.

Pse kjo rënie?

Studiuesit besojnë se ka më shumë arsye për këto rezultate. Një prej tyre, vlerësohet të jetë fakti se tani ka shumë më shumë studiues sesa në vitet 1940, gjë që ka krijuar një mjedis më konkurrues dhe ka rritur interesimin për të publikuar hulumtime dhe për të kërkuar patenta. Kjo, nga ana tjetër, ka ndryshuar stimujt për mënyrën se si studiuesit bëjnë punën e tyre. Ekipet e mëdha hulumtuese, për shembull, janë bërë më të zakonshme dhe studimi konkludon se ekipet e mëdha kanë më shumë gjasa të prodhojnë shkencë shtesë sesa revolucionare.

Gjetja e një shpjegimi për rënien nuk do të jetë e lehtë. Shkalla e rënies është gjithashtu e çuditshme: indekset citimeve kanë rënë në mënyrë të shpejtë nga viti 1945 deri në 1970, pastaj më gradualisht nga fundi i viteve 1990 deri në vitin 2010./trtbalkan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *