7 ditë pa ujë të pijshëm/ Banorët në Çorovodë: Na kanë lënë në mëshirë të fatit

Share

Rreshjet e pandërprera të shiut që kanë rënë gjatë këtyre ditëve kanë sjellë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të fshatit Kakruk në bashkinë e Çorovodës.

Mungesa e ujit të pijshëm ka ardhur si pasojë e shkarjes dhe këputjes së tubacionit kryesor të ujit nga shkarja e dherave. Banorët e fshtat “Kakruk” janë shprehur se, Drejtoria e Ujësjellësit në Çorovodë ende nuk e ka bërë defektin për shkak të prurjeve të lumit, që e bëjnë të pamundur futjen e mjeteve për të riparuar defektin.

“Na sjellin një mjet që shpërndan ujë por edhe ai është i papijshëm. Kemi shtatë ditë që jemi pa ujë, shkojmë e mbushim në përrenj. Na kanë lënë në mëshirë të fatit “-shprehen banorët.

Ata kërkojnë tu rikthehet uji në banesa, pasi faturat i paguajnë rregullisht. Ky është vetëm një problem që kanë 400 banorët e këtij fshati. Ata deklarojnë se, sa herë fryn erë ose bie shi i gjithë fshati Kakruk ngelet pa energji elektrike për ditë me radhë.

“Linjat e energjisë elektrike që ne marrim janë akoma që në kohën e komunizmit, prandaj ndodh edhe stakimi i energjisë në fshat. Kërkojmë që të vihet dorë në fshatin tonë dhe jo të kujtohen për ne vetëm kur ka zgjedhje. Nuk po kërkojmë shumë gjëra, ato jetiket duam: ujë, drita dhe rrugë”,- pohojnë të revoltuar banorët e fshatit Kakruk.


Share

Komente