8 të akuzuar për përdhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore lidhur me rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në qershor të këtij vit.
Ndaj të pandehurve rëndojnë një sërë veprash penale sikurse “dhunim”, “trafikim me njerëz”, “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhunim”, shkruan REL.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se e mitura dyshohet se u dhunua edhe më 27 gusht, në një park të qytetit të Prishtinës.
Rasti i dhunimit të 11-vjeçares nxiti reagim të shoqërisë, teksa në Kosovë u mbajtën disa protesta, ku u kërkua “dënim meritor” për personat e dyshuar.
Për këtë rast kanë dhënë dorëheqje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.
LEXONI GJITHASHTU:
Përdhunimi i 11-vjeçares, banori i zonës: S’i njoh autorët, të frikësuar për fëmijët
Përdhunimi i 11-vjeçares, dorëhiqet drejtori i policisë së Kosovës