A do të jetë Vlora Çitaku kandidate e PDK-së për kryeministre?
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje assesi nuk do të fitojë 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen.
Madje, ajo tha se as kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk do të jetë më kryeministër.
“Të njëjtën arrogancë e kanë pasur LVV edhe për zgjedhjet lokale, për të mos thënë edhe më të theksuar… Ka pësuar një debakël të thellë në zgjedhjet lokale dhe njëjtë do të pësojë edhe në ato parlamentare. Unë pres një rikonfigurim të peizazhit politik në Kosovë. Assesi LVV nuk do të fitojë 50 %, larg asaj dhe unë jam e bindur që kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër pas zgjedhjeve të reja”, ka thënë ajo në emisionin “Info Nata”.
Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidat i saj për kryeministër, ndonëse nënkryetarja, Vlora Çitaku thotë se kjo tradicionalisht është vendosur për kreun e partisë.
Ajo tha se nuk ka ambicie që të jetë kandidate për kryeministre dhe se i mbetet Krasniqit ta thotë se a do të jetë ai, apo dikush tjetër.
“Jo, nuk e kemi zyrtarizuar, e kemi pasur një mbledhje të Këshillit Drejtues, ku kemi marrë disa vendime. Me i rëndësishmi prej tyre është mobilizimi i të gjitha strukturave të PDK-së për zgjedhjet e reja nacionale që ne presim të mbahen sa më parë…Tradicionalisht kryetari i partisë ka qenë kandidat për kryeministër, mirëpo i takon vetë kryetarit Krasniqi të vendosë fillimisht a do të jetë kandidati, apo ka vullnet për dikë tjetër. I mbetet atij ta thotë”, ka thënë ajo.