November 28, 2021

A është faji i Rusisë që Evropa ka mungesë të gazit natyror?

Shpërndaje lajmin

Associated Press

Evropa ka mungesë të gazit natyror dhe rezervat janë jashtëzakonisht të vogla. Dimri i ftohtë mund të nënkuptojë që situata të përkeqësohet dhe faturat për energji të rriten, duke ua vështirësuar edhe më shumë situatën njerëzve të zakonshëm dhe duke rënduar edhe rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka premtuar se do të ndihmojë që të mbushen stoqet evropiane me gaz teksa po rriten çmimet e energjisë – por furnizimet me gaz dhe tensionet politike po vazhdojnë të sfidojnë tregjet e energjisë, duke bërë që çmimet të mbeten të larta. Kjo ka bërë që bizneset të rrisin çmimet për konsumatorët, të cilët tashmë po përballen me rritjen e çmimeve të shërbimeve të tjera.

Moska akuzohet se po e përdor situatën e rënduar për të shtyrë përpara aktivizimin e gazsjellësit rus që kalon nën Detin Baltik: Rrjedha Veriore 2, që po pret miratimin e rregullatorëve gjermanë, e që është kritikuar nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera.

Me Evropën që varet nga importi i gazit dhe Rusinë që furnizon 40 për qind apo më shumë të këtyre importeve, Putin ka thënë se gazsjellësi i ri është i mbushur me gaz dhe do të mund të ndihmojë në rritjen e furnizimeve “një ditë”, pasi të jetë miratuar nga rregullatorët gjermanë.

Si u përfshi Evropa në këtë situatë?

Arsyet janë të shumta. Arsyeja numër një është dimri i ftohtë që shteroi rezervat me gaz, që përdoren për të gjeneruar energji elektrike dhe zakonisht rimbushen në verë. Por, kjo gjë nuk ndodhi gjatë këtij viti.

Moti i nxehtë bëri që të shteroheshin rezervat e gazit më shumë sesa zakonisht, për shkak të kërkesës së shtuar për ajër të kondicionuar. Më pak erë nënkuptoi që do të kishte më pak prodhim të energjisë së ripërtërishme, duke bërë që gjeneratorët të funksiononin më shumë me karburante të gazit. Furnizimet e kufizuara të gazit të lëngshëm natyror, një opsion më i kushtueshëm që transportohet me anije dhe jo përmes tubacioneve të gazit, u blenë nga konsumatorët në Azi.

Për më tepër, Evropa, për vite me radhë, është fokusuar më shumë në kontrata të blerjes së gazit me çmime ditore, në vend të kontratave afatgjate. Gjiganti i gazit, që kontrollohet nga shteti rus, Gazprom, ka përmbushur kërkesat për kontratat afatgjate, por nuk ka dërguar gaz përtej kërkesave të përshkruara në kontratë. Putin ka thënë se konsumatorët që kanë kontrata të tilla, do të paguajnë shumë më pak për gaz sesa blerësit e tjerë.

Çmimet ishin shtatë herë më të larta në fillim të tetorit krahasuar me fillimin e këtij viti dhe, së voni, janë rritur edhe katër herë më shumë.

Çfarë roli ka gazsjellësi Rrjedha Veriore 2?

Gazpromi ka investuar miliarda dollarë për të ndërtuar tubacionin e gazit me gjatësi 1,234 kilometra deri në Gjermani. Ky gazsjellës do t’i mundësonte Rusisë që t’i shiste direkt gaz një konsumatori të madh dhe ta shmangte tubacionin e gazit përmes Ukrainës. Kjo e fundit po përballet me presion të madh nga Rusia prejse Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët në Ukrainë.

Edhe para armiqësive të vitit 2014, Moska kishte nisur përpjekjet për të diversifikuar rrugët e furnizimeve me gaz për në Bashkimin Evropian, duke thënë se sistemi ukrainas ishte i shkatërruar dhe se për për këtë arsye gazi humbte në tubacione.

Ukraina mund të humbë dy miliardë dollarë në vit që i merr si tarifa të transitit. Ajo dhe Polonia, që është një prej rrugëve të tjera të gazsjellësit, fuqishëm po e kundërshtojnë gazsjellësin Rrjedha Veriore 2. Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera gjithashtu e kanë kritikuar fuqishëm, duke thënë se ky projekt do të rrisë varshmërinë e Evropës ndaj Rusisë, sa i përket energjisë.

Disa analistë kanë thënë se ata nuk presin që Rrjedha Veriore 2 do të aktivizohet gjatë këtij dimri. Ka pasur spekulime se Evropa mund të lejojë aktivizimin e këtij gazsjellësi derisa rregullatorët të marrin një vendim për këtë projekt ose ndoshta një gjë e tillë mund të ndodhë nëse Rusia dërgon më shumë gaz përmes Ukrainës.

A ka Rusia furnizime të tjera të gazit?

Gazpromi thotë që jo. Shefja për eksport e kësaj kompanie, Elena Burmistrova, ka deklaruar: “Ne nuk jemi të interesuar as për çmime rekorde të ulëta apo të larta”, duke shtuar se “ne duam të shohim një treg të balancuar mirë dhe të parashikueshëm”.

Të paktën disa analistë pajtohen me këtë gjë.

Thomas O’Donnell, një analist i energjisë dhe gjeopolitikës në shkollën Hertie të Berlinit, thotë se Rusia është dashur që të mbushë rezervat e saj të gazit – ashtu si BE – pas një dimri të ftohtë.

Përderisa Putin po e shijon rolin e tij si “kumbar i gazit” dhe ka shfrytëzuar mungesën e gazit për të bërë presion që të miratohet aktivizimi i Rrjedhës Veriore 2, “realiteti është që… thjesht, nuk ka pasur gaz rezervë rus për të eksportuar, derisa Rusia të përfundojë mbushjen e stoqeve të saj të gazit për përdorim të brendshëm për dimër”, thotë O’Donnell, i cili shkruan për globalbarrel.com. “Kumbari bëri blof”, shton ai.

O’Donnell thotë se mënyra e vetme që Rusia të ndihmojë në kompensimin e mungesës me gaz këtë dimër, do të ishte që të dërgonte më shumë gaz përmes Ukrainës – duke supozuar që Gazpromi është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

Putin e ka urdhëruar Gazpromin që të dërgojë gaz në depot evropiane, pasi Rusia përfundoi mbushjen e rezervave të saj javën e kaluar, por sasia e gazit që Rusia mund të dërgojë, sipas O’Donnellit, është “e kufizuar”.

“Ai do të mund të merrte më shumë vëmendje nëse do të ndihmonte më shumë”, thotë O’Donnell.

Zyrtarët amerikanë pajtohen.

“Rusia mund dhe duhet të ofrojë furnizime shtesë përmes Ukrainës, shtet që ka kapacitete të mjaftueshme të tubacioneve dhe atyre nuk iu duhet Rrjedha Veriore 2 për një gjë të tillë”, thotë Karen Donfried, zyrtare e lartë amerikane për Evropë.

“Dhe, nëse Rusia dështon ta bëjë një gjë të tillë, natyrisht se kjo do ta dëmtojë sigurinë energjetike të Evropës”, shton ajo.

Duke nënvizuar varësinë e Evropës nga gazi rus, Putini dhe Gazpromi mund të shpresojnë për rregullativa më të favorshme të tregut në BE për projektin Rrjedha Veriore 2, thotë O’Donnell.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është përballur me një sfidë të re, pasi, më 16 nëntor, rregullatorët gjermanë pezulluan procesin e miratimit, për shkak të një problemi me statusin e operatorit sipas ligjit gjerman.

Çfarë ndikimi mund të ketë mungesa e gazit që ka Evropa?

Çmimet e gazit natyror, herët ose vonë, do të reflektojnë në tarifat e qytetarëve dhe bizneseve që merren me energji elektrike dhe gaz.

Komisioni Evropian tha se ngritja e çmimit të energjisë do të pengojë rimëkëmbjen nga pandemia, për shkak se faturat më të shtrenjta do të bëjnë që konsumatorët të mos shpenzojnë për gjëra të tjera dhe bizneset nuk do të bëjnë investime.

Gjendja në tregun evropian ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve edhe në SHBA, edhe pse gjendja me rritjen e çmimeve në tregun amerikan nuk është aspak afër shkallës së rritjes së çmimeve që ka ndodhur në Evropë.

Çfarë do të thotë kjo për dimrin?

Analistët kanë thënë se kjo është vështirë të parashikohet. Të gjithë shpresojnë se nuk do të ketë dimër të ashpër që do të mund të kërcënonte furnizimet.

Analistët kanë spekuluar se energjia elektrike mund të racionohet – ndoshta për disa konsumatorë industrialë në fillim – nëse situata rëndohet.

Gjendja në tregun evropian ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve edhe në SHBA, edhe pse gjendja me rritjen e çmimeve në tregun amerikan nuk është aspak afër shkallës së rritjes së çmimeve që ka ndodhur në Evropë.

Çfarë do të thotë kjo për dimrin?

Analistët kanë thënë se kjo është vështirë të parashikohet. Të gjithë shpresojnë se nuk do të ketë dimër të ashpër që do të mund të kërcënonte furnizimet.

Analistët kanë spekuluar se energjia elektrike mund të racionohet – ndoshta për disa konsumatorë industrialë në fillim – nëse situata rëndohet./rel


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *