Abazoviç, gati të formojë Qeverinë

Shpërndaje lajmin

Për arsye të vonesave si pasojë e kalkulimeve politike në raport me zgjedhjet lokale të partive malaziase, i mandatuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, konsideron se që ditën e nesërme mund të konkretizohet qeveria e re e pakicës së propozuar nga koalicioni që ai udhëheq, përcjell Albinfo.ch.
Abazoviç thotë se është bërë progres në këtë drejtim, dhe se qeveria e pakicës, e cila orbiton rreth politikave properëndimore dhe veçanërisht drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, mund të bëhet pa humbur më kohë. Në rast se për një gjë të tillë ekziston vullnet politik, sigurisht, thotë ai.
“Personalisht, unë mendoj se disa parti të caktuara kanë bërë kalkulime në raport me zgjedhjet lokale, dhe kjo s’është diçka e papritshme, jo diçka që nuk dihet. Nuk kam fare problem me këtë”, ka thënë Abazoviç, transmeton Ap.
Por, në lidhje me kalkulimet e rrepta dhe shantazhet që kompozitës së qeverisë t’i jepen trajta të ngushta partiake, Abazoviç tha se nuk lejon dhe as toleron gjëra të tilla.
“Për aq sa më takon mua si mandatar, si kryeministër i mandatuar, unë jam gati. Jam tejet optimist. Dhe, optimizmi im ka bazë të gjerë. Ne e dëshmojmë se kemi iniciativë, por nëse dikush ka ide të tjera [më të mira], le të dalin e t’i thonë”.
“Nëse Mali i Zi ka nevojë për qeveri evropiane, atë mund ta bëjmë që nesër. Por nëse dikush dëshiron që vendin ta dërgojë në kanal, duhet të identifikohen me emër dhe mbiemër, dhe s’ka asnjë problem”, deklaroi mandatari për kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published.