Abdixhiku takon Osmanin: Fituam në terren, tani të fitojmë betejën diplomatike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku diskutuan në lidhje me zhvillimet në Veri.
Përmes një postimi në facebook, Abdixhiku bën me dije se në takim shprehu nevojën e unitetit kombëtar të të gjithë aktorëve politik për të përballuar sfidat që vijnë nga Serbia.
Ai përgëzoi Policinë e Kosovës për përballjen me terroristët dhe theksoi se pas fitores së tyre në terren është koha që të fitohet dhe beteja diplomatike.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.
Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, shkroi Abdixhiku në facebook.