Ahmataj tregon problemin e Skënderbeut: Ja kur hapet merkatoja

Share

Skënderbeut i iku fitorja në minutat e fundit ndaj Kastriotit, duke barazuar 2-2. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj u shpreh se Skënderbeu i tij ka vetëm një problem, teksa për “Supersport” ka thënë se merkato e Skënderbeut zhbllokohet të hënën, duke shtuar më tej se lojtarët që do zyrtarizohen janë në stërvitje me skuadrën momentalisht.

“E kishim vlerësuar kundërshtarin në mënyrën e mirë. Në këtë ndeshje mund të kishim marrë maksimumin. Ndeshjen e kishim në kontroll. Kishim pak probleme në fillim të pjesës së dytë, kur lojtarët nuk po bënin mirë. Pas zëvendësimit, futëm Rrapajn dhe e rregulluam golin. Mund ta kishim fituar këtë ndeshje. Që nga e hëna ne marrim “OK” për merkaton. Nëse e shikoni unë bëra vetëm 3 zëvendësime pasi nuk kisha mundësi për zgjedhje.

Është një skuadër që ka shfaqur probleme nga fillimi, për mënyrën se si pësojmë gola;. Lojtarët nuk bëhen aktivë në momentin që janë në zonë. Me afrimin e lojtarëve të rinj do mundohemi ta rregullojmë këtë dhe të rrisim cilësinë. Kemi bërë disa ndërhyrje. Besoj se do e rregullojmë këtë problem, pasi është i vetmi problem.

Ne i kemi lojtarët në stërvitje dhe me shumicën e tyre do i mbajmë, presim vetëm ditën e hënë që të hapet merkato dhe të mund t’i federojmë në skuadër.

Objektivi? Këtë pyetje e bëjnë njerëzit që nuk ka qenë pjesë e Skënderbeut. Është një qytet që gjithçka rrotullohet rreth futbollit, tifozët na vijnë në stërvitje. Motivim më të madh për lojtarët nuk ka, sesa të përfaqësojnë një qytet si Korça.”, u shpreh Ahmataj.


Share

Komente