April 16, 2021

Aksident në galeritë e Albchrome, plagoset një minator

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Një minator u plagos të mërkurën në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në minierën e Bulqizës, në pronësi të biznesmenit Samir Mane.  

Minatori i plagosur dergohet me helikopter ne Tirane

Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 11.05 dhe se “Edi Beka, 31 vjeç ishte plagosur gjatë punës”.

Një burim nga spitali i Bulqizës i tha BIRN se i plagosuri kishte dëmtime të kraharorit dhe dyshohej për thyerje të brinjëve.

Minatori i aksidentuar është dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar, por është jashtë rrezikut për jetën.

Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, fajësoi për pakujdesi minatorin e aksidentuar.

“Fadroma që po manovronte brenda në minierë ka dëmtuar strukturën armatike kuadratike me profile metalike, në zonën e Qafë Buallit. Si pasojë e kësaj pakujdesie është lënduar fadromisti E.B. Menjëherë, fadromisti i lënduar është shoqëruar për në spitalin e Tiranës, pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi avaro-shpëtues dhe mjekësor në minierë”, thuhet në reagimin e Albchrome.

Ky është aksidenti i gjashtë në tre muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Kushtet e sigurisë në galeritë e nxjerrjes së kromit në Bulqizë, janë problematike prej vitesh, ndërsa zona ka numrin e dytë në vend pas Tiranës për numrin e të vrarëve në aksidente në punë.

Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat e kësaj zonë. Ndërkohë në fillim të vitit 2021 një person humbi jetën në galeritë e kontrolluara nga kompania “KACI – IF – 2012” shpk.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës deklaroi se heshtja e institucioneve ndaj aksidenteve po i kthente minierat në kurthe vdekjeje.

“Që prej 2019, si SMBB kemi luftuar që jeta e punëtorëve të jetë sa më e sigurt, por shfrytëzimi pa kriter i pronarëve dhe heshtja shtetërore po i kthen këto miniera në varre massive,” tha Sindikata.

“U kërkojmë institucioneve përkatëse të hetojnë ngjarjen deri në fund dhe i urojmë vëllait tonë, minatorit Edi Beka, shërim sa më të shpejtë,” përfundoi ajo.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *