Aktivitetet e ndaluara nga KQZ/ Braho: Dënimi mund të jetë dhe me burg

Share

Marrja pjesë në aktivitetet e ndaluara për t’u zhvilluar dhe në ato që ndalohen për t’u promovuar mund t’u kushtojë shumë politikanëve shqiptarë gjatë këtyre 4 muajve deri në zgjedhjet e 25 prillit. Prej 12 ditësh tashmë ka hyrë në fuqi vendimi që i ndalon këto aktivitete dhe dënimet variojnë nga gjoba, deri të procedimet penale për vepra që parashikohet burg nga 6 muaj deri në 3 vite.

Në një intervistë për Euronews Albania, anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, Ledio Braho sqaroi se për të dyja llojet e aktiviteteve që ndalohen nga 25 dhjetori deri në 25 prill, duhet bërë një ndarje mes kallëzimeve që çohen në KQZ dhe atyre që ndërmerren nga Prokuroria.

“Janë ndarë në dy grupime, në aktivitete publike që janë të ndaluara dhe në aktivitete publike të ndaluara për t’u promovuar. Duhet të ndajmë pjesën e denoncimeve administrative që bëhen në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë të bëjnë me shkeljen e rregulloreve dhe e dyta dhe kallëzimet penale, apo kur nis një procedim penal apo kryesisht nga prokuroria”, shprehet ai.

Juristi Braho theksoi se për ato shkelje që do të shqyrtohen nga Komisioneri i Zgjedhjeve parashikohen vetëm masa me gjobë. Ndërsa për denoncimet penale, si ato që depozitoi Partia Demokratike një ditë më parë në SPAK masat e parashikuara shkojnë deri në denim me burg nga 6 muaj në 3 vite.

“Në rastin e procedimeve penale është vepra e parashikuar në nenin 328 A i Kodit Penal që parashikon dhe që masa e dënimit fillon nga 6 muaj deri në 3 vite burg në rast se vërtetohet që është konsumuar si vepër penale. Ndërkohë që për shkeljet administrative që dënimet vendosen nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, dënimet variojnë nga 3 mijë lekë deri në 90 mijë lekë të reja, në varësi të shkeljes dhe të personit që kryen shkeljen”, tha Braho./euronews


Share

Komente