October 23, 2021
Shpërndaje lajmin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është zotuar të ringjallë idenë polemike për fillimin e një çështje gjyqësore ndërkombëtare kundër Serbisë për gjenocid të pretenduar gjatë luftës së viteve 1998-1999, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve se kjo nuk ka gjasa të ketë sukses.

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës. Foto: Facebook/Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha këtë muaj se ai dëshiron të çojë në një gjykatë ndërkombëtare një çështje gjenocidi kundër – dy vjet pasi ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri një kërcënim të ngjashëm.

Në qershor 2019, ligjvënësit në Kuvendin e Kosovës miratuan një projekt-rezolutë që kërkon drejtësi për një total prej 186 masakrash të kryera nga trupat e Ushtrisë Jugosllave dhe forcat policore dhe paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë dhe duke bërë thirrje për një gjykatë të re për të gjykuar krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës 1998-1999.

Veseli argumentoi se regjimi i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç synonte të shkatërronte shqiptarët e Kosovës si një grup, duke kryer kështu gjenocid siç përcaktohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. Ai bëri thirrje për një gjykatë të re ndërkombëtare për të ndjekur penalisht serbët.

Por propozimi i Veselit u përshkrua si oportunizëm politik nga kundërshtarët brenda Kosovës dhe u hodh poshtë nga ekspertët ndërkombëtarë si jopraktik dhe jashtëzakonisht të rezultonte i suksesshëm.

Nuk u bë asgjë për ta çuar para këtë nismë dhe më pas vetë Veseli u u arrestua nëntorin e kaluar nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në kohën kur ai ishte një gueril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe u dërgua në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për t’u gjykuar.

Tani e njëjta ide po risillet nga ish-kundërshtari i Veselit, Kurti, një politikan i majtë i cili u bë kryeministër në mars dhe po nxit idenë e një çështje gjyqësore ndërkombëtare në të njëjtën mënyrë siç bëri Veseli në vitin 2019.

Megjithatë, zyra e Kurtit mohoi që ideja e tij të ketë lidhje me atë të Kadri Veslit, duke këmbëngulur se ajo bazohej në një detyrim që dilte nga rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Padia për gjenocid kundër Serbisë duhet të ishte ngritur në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Meqenëse kjo nuk është bërë, ne jemi të detyruar ta bëjmë këtë”, tha zyra e Kurtit për BIRN.

“Qeveria e Kosovës ka një detyrim ndaj qytetarëve të saj, plagët e të cilëve mbeten të hapura, të përgatisë një proces gjyqësor për gjenocid”, shtoi ai.

Kurti e promovoi çështjen e gjenocidit gjatë fushatës së tij për zgjedhjet e shkurtit, teksa fliste në një zonë të gjerë elektorale në Kosovë e lidhur me trashëgiminë e UÇK-së dhe trashëgimi politike. Ai e përmendi gjithashtu çështjen e gjenocidit kur prezantoi programin legjislativ për mandatin e qeverisë së tij të re në detyrë.

Javën e kaluar, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e paralajmëroi Kurtin kundër çuarjes para të kësaj nisme.

“Mendoj se ndoshta kjo nuk është rruga e duhur. Duke qenë se ky do të ishte një proces shumë i gjatë, shumë gjëra në Kosovë mund të vonohen dhe nuk dihet se si do të përfundonte. Nëse më pyesni nëse ky është hapi i duhur, përgjigjja ime do të ishte jo nuk është”, tha Rohde.

“Politikisht, të paditësh një vend për gjenocid do të thotë të dërgosh të gjithë vendin në gjykatë. Është shumë e rëndësishme, për Gjermaninë gjithashtu, kur shikojmë historinë e vendit tim, të përballemi me të kaluarën, por faji është gjithmonë individual”, shtoi ai.

Natasa Kandiç, koordinatore e iniciativës KOMRA, një komision rajonal për përcaktimin e së vërtetës, dhe themeluese e OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila ka dokumentuar krime të luftës në Kosovë, gjithashtu e hodhi poshtë iniciativën.

“Kjo është një iniciativë politike e cila nuk do të kontribuojë në sundimin e ligjit ose drejtësi për viktimat”, tha Kandiç.

Zyra e Kurtit e mohoi këtë: “Për arsye njerëzore, kurrë për arsye politike, ne jemi të përkushtuar të përdorim çdo mjet për që e vërteta dhe drejtësia të triumfojnë”, tha ajo.

Janë ngritur gjithashtu pyetje në lidhje me kohën e lëvizjes së Kurtit, e cila vjen ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës përgatiten të gjykojnë Veselin dhe disa figura të tjera të larta të UÇK-së të cilët u bënë udhëheqës politikë pas luftës, përfshirë këtu edhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Serbia nuk kurseu asnjë përpjekje për të na shfarosur”

Varre të pa identifikuara në një varrezë në Kosovën jugore në vitin 1999. Foto: Human Rights Watch/Fred Adams.

Ngritja e një padie për gjenocid kundër Serbisë ka qenë prej kohësh një temë e rëndësishme në diskursin politik në Kosovë dhe viktimat e luftës, të cilët ende nuk kanë parë autorët të ndiqen penalisht për krimet e kryera nga forcat serbe, duan që politikanët e vendit të marrin masa për të arritur drejtësinë.

Flurim Hajdari, babai dhe pesë vëllezërit e të cilit, më i vogli prej të cilëve ishte 12 vjeç, u vranë në një masakër në Krushë e Vogël në mars 1999, mbështet idenë që Kosova duhet ta çojë Serbinë në gjyq.

“Në Kosovë, Serbia u përpoq të kryente gjenocid dhe nuk kurseu asnjë përpjekje për të na shfarosur”, tha Hajdari për BIRN.

“Nëse Kosova nuk e bën këtë, ajo do ta fakte Serbinë për gjakderdhjen që ajo shkaktoi. Kjo do të ishte e pafalshme”, shtoi ai.

Por edhe pse liderët politikë kanë folur shumë për të, nuk është bërë asnjëherë asnjë përpjekje serioze për të përgatitur një çështje të tillë, megjithëse qeveria ka thënë se po planifikon të krijojë një institut për të mbledhur prova.

Gëzim Visoka, një profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit në Irlandë, i lindur në Kosovë tha se kjo çështje nuk është trajtuar kurrë seriozisht, “ashtu si për të gjithë çështjen e drejtësisë tranzicionale dhe trajtimit të së kaluarës i ka munguar një mendim serioz strategjik dhe veprim politik”.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, gjeti disa serbë të Bosnjës fajtorë për krimet e kryera kundër boshnjakëve nga Srebrenica, por askush nga Serbia nuk u akuzua kurrë për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Siç u demonstrua në disa raste në GJPNJ, ushtria dhe policia jugosllave kryen krime të panumërta lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, por ajo gjeti shumë pak prova të akteve gjenocidale”, tha për BIRN eksperti i Ballkanit Christian Axboe Nielsen, profesor i asociuar i Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin Aarhus në Danimarkë.

“Ngritja e një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është pra një veprim aspak i mençur”, tha Nielsen.

Përpjekjet e mëparshme për të provuar se shteti serb ishte përgjegjës për gjenocid kanë dështuar.

Si Bosnja dhe Hercegovina, ashtu edhe Kroacia iniciuan procedura gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pretenduar se Beogradi shkeli Konventën mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.

Në vitin 2007, GJND-ja përcaktoi që Serbia nuk kishte arritur të parandalonte gjenocidin e Srebrenicës, por se nuk ishte përgjegjëse për të ose bashkëpunëtore në kryerjen e krimit. Çështja e Kroacisë u refuzua në vitin 2015, ashtu si kundërpadia e Serbisë që e akuzonte Kroacinë për gjenocid.

GJND-ja botoi një opinion të rëndësishëm juridik në vitin 2010 duke u shprehur se deklarata e pavarësisë e Kosovës ishte e ligjshme. Megjithatë, gjykata do të dëgjojë vetëm çështje të iniciuara nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova nuk bën pjesë.

“Perspektivat e suksesit janë të pakta”

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Foto: GJND.

Florian Bieber, koordinator për Ballkanin në Grupin Këshillimor të Evropës dhe profesor i Historisë dhe Politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, argumentoi se nuk ka gjasa që GJND-ja të pranojë një çështje të ngritur nga Kosova.

“Perspektivat e ndonjë suksesi janë shumë të pakta, duke marrë parasysh vendimet e GJPNJ-së që gjetën krime lufte, por jo gjenocid në gjykimet lidhur me luftën e Kosovës”, tha Bieber për BIRN.

Ai sugjeroi që Kurti ndoshta po planifikonte ta përdoret rastin si një mekanizëm në dialogun e vazhdueshëm të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Kjo mund të jetë një mënyrë për t’u përdorur si pjesë e negociatave me Serbinë. Pra, mund të ofrohet pushimi i çështjes në këmbim të kompromiseve, por duke marrë parasysh shanset e pakta për sukses, kjo nuk duket dhe aq e dobishme”, tha ai.

Visoka tha se çështja e propozuar i shërben qëllimeve të brendshme të Kurtit brenda Kosovës. Ajo forcon mbështetjen popullore dhe neutralizon kundërshtarët që i kanë bërë thirrje atij të shpërbëjë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ajo antagonizon gjithashtu qeverinë serbe, e cila mund të vonojë negociatat në Bruksel.

“Kjo e ndihmon Kurtin të fitojë më shumë kohë për t’u përgatitur më mirë dhe për të rritur fuqinë në bisedimet për tema të ndjeshme”, tha ai.

Çështjet e kaluara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë demonstruar gjithashtu se pragu për të përcaktuar që është shkelur Konventa e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit është i lartë, vuri në dukje Visoka.

“Janë të pakta shanset që çështja e Kosovës të jetë e suksesshme dhe të merret një vendim pohues nga GJND-ja”, tha ai.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *