Ambasada e Kosovës në Shkup bëhet me bust të Shën Terezës
Bëhet e ditur se Ambasada e Kosovës në Shkup është pasuruar me imazhin e nobelistes shqiptare, Shën Tereza. Në ambientet e jashtme të këtij institucioni të hënën është përuruar busti i Shën Terezës. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Përurimi është bërë në kuadër të shënimit të përvjetorit të shtatë të shenjtërimit të Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, që në mbarë botën njihet si Nënë Tereza, përcjell albinfo.ch.
Presidentja e Kosovë ka thënë se në jetën e saj të bujshme Nënë Tereza bashkoi njerëzit, popujt dhe kulturat. Sipas saj, me veprën e saj jetësore ajo u bë shpresa për të varfrit, frymëzim për njerëzimin dhe udhërrëfyese e përbotshme.
“Sot jemi këtu për ta përjetësuar figurën e saj në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në vendin e saj të lindjes. Nga këtu misionarja, humanistja, nobelistja e shenjtorja jonë nisi një udhëtim me qëllim, i cili do ta çonte përtej kufijve të atdheut të saj dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë globin”, ka thënë presidentja Osmani.
Sipas saj, dashuria dhe ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe njerëzimit është ana e fortë e karakterit dhe moralit të Shën Terezës dhe andaj në asnjë ditë të vetme të jetës së saj nuk reshti duke bërë vepra humane mbi bazën e dashurisë dhe dhembshurisë ndaj të tjerëve. Presidentja Osmani para të pranishmëve ka thënë se nobelistja është lindur në Shkup, kurse prindërit e saj janë nga Kosova, ndërkaq në Shqipëri, respektivisht në Tiranë, jetuan dhe vdiqën njëra pas tjetrës nëna Drande dhe motra Age.
“Prandaj jam e lumtur që sot jemi bashkë me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, duke u bërë të gjithë bashkë në nderim të shenjtores sonë si një simboli i miqësisë sonë ndërmjet shteteve, marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dhe të ardhmes sonë të ndritur në familjen euroatlantike”, ka thënë ajo.
Në fjalën e tij presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po ashtu ka vlerësuar lart figurën e Shën Terezës.
“Nënë Tereza mbush me krenari shqiptarët dhe frymëzon mbarë botën”, ka thënë ai midis të tjerash.
Paraprakisht të shtunën e javës së shkuar Evropës i është shtuar edhe një shtatore e Shën Terezës. Në kuadër të përvjetorit të shenjtërimit të nobelistes shqiptare, një prej tempujve të vjetër fetarë në Evropë është bërë me shtatore të saj. Në kishën “Notre Dame de Laeken” në Bruksel, gjatë ceremonisë së titulluar “Festa e Shën Terezës” është përuruar shtatorja e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut. Gjatë kësaj ceremonie, në tempullin me stil gotik, që daton qysh prej vitit 1020, është mbajtur edhe një meshë për Shën Terezën.
Shën Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997, në Kalkutë të Indisë. Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit, e ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. Kurse më 5 shtator të atij viti ishte mbajtur ceremonia e shenjtërimit. Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe.