Ambasadori francez: Dy data të mundshme për liberalizimin e vizave

Shpërndaje lajmin

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, është deklaruar pasi Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian miratoi në lexim të parë të enjten vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.
Ai ka thënë se më së largu janari i vitit të ardhshëm mund t’i gjejë kosovarët me liberalizim të vizave. Sipas tij, kjo gjë mund të ndodhë edhe më herët, nëse Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) fillon punën më herët.
Këto deklarime ambasadori i ka bërë të enjten gjatë një vizite në Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me kryetarin Ferit Idrizi kanë vizituar fshatin e Prelluzhës, i banuar me shumicë serbe.
“Janë dy data të mundshme, është ose kur sistemi ETIAS fillon të punojë ose afati më i fundit 1 janari (2024). Janë diskutime teknike, ku unë nuk mund të tregoj datat e sakta. Mendoj se jemi duke iu ofruar kohës kur qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza për 90 ditë”, ka deklaruar Guerot.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Propozimin e Bashkimit Evropian, për të cilin palët u pajtuan në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Ambasadori ka thënë se ajo marrëveshje ka potencial që ta ndryshojë jetën e qytetarëve.
“Mendoj që marrëveshja që është aprovuar më 27 shkurt dhe implementimi i aneksit do të diskutohet. Ka një potencial të ndryshohet për mirë çdo ditë jeta e qytetarëve, të gjithëve nga Kosova, këtu në Vushtrri dhe veçanërisht sigurisht në 4 komunat veriore. Jam konfident që po vijmë afër një zgjidhjeje që të gjithë kanë punuar shumë”, ka përfunduar Guerot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *