Ambasadori Hovenier zhvillon takim me disa politikanë serbë të Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka pritur të martën në një takim disa politikanë serbë të Kosovës për të biseduar për çështjet e rëndësishme për komunitetin e tyre.
“Pata rastin të jem mikëpritësi i disa përfaqësuesve politikanë serbë të Kosovës sot. Mendimet e ndryshme dhe pluralizmi janë përbërës të çdo demokracie të fuqishme dhe të shëndoshë. Unë e përsërita mbështetjen tonë të kamotshme për një Kosovë sovrane, shumetnike dhe demokratike”, shkroi Hovenier në X, ish-Twitter.
Në takim, sipas një fotografie të publikuar nga ambasadori më 22 gusht, të pranishëm ishin, lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, kryetari i Lëvizjes së Serbëve të Kosovës, Branimir Stojanoviq, kryetari i Nismës Qytetare për Zubin Potokun, Milija Bishevac, dhe kryetari i Iniciativës “Mbijetesa Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq.
Hovenier nuk dha hollësi për atë se çfarë u bisedua rreth çështjeve të komunitetit serb në Kosovë.
Në Kosovë, partia më e madhe e serbëve është Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Në dhjetë vjetët e fundit, ajo i ka fituar si zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme.
LEXONI GJITHASHTU:
Ndarja nga jeta e Toto Cutugno/ Rama: Privilegj të jetoja në një kohë me ju
Durrësi, porti i jahteve luksozë| Vetëm 1 jaht paguan 861.195 euro për 8 orë