Analiza e Bild: A po planifikon Putin luftën e ardhshme në Ballkan përmes Serbisë?
Bild ka bërë një analizë mbi situatën e brishtë të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, ku thuhet se sinjalet e dhëna mund të jenë pjesë e “një planifikimi rus për të nisur një luftë të re në rajon dhe këtë po e bën përmes Serbisë”, teksa thuhet se ekspertët e Ballkanit, paralajmërojnë se Putin po planifikon një luftë të re në Ballkan, para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe këtë “fushë beteje” e shikojnë në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
“Putin do të krijojë një fushë të dytë beteje në Ballkan përpara zgjedhjeve evropiane me ndihmën e presidentit serb”, shkruan Bild.
Eksperti serb, Jakov Devçiq, kreu i zyrës së jashtme të Serbisë/Malit të Zi të Fondacionit Konrad Adenauer, të lidhur me CDU, ka deklaruar se ka rryma të qarta proruse në peizazhin politik serb dhe kjo u pa edhe në marrëveshjet e bashkëpunimit nënshkruar mes Serbisë dhe Rusisë që pas nisjes së luftës në Ukrainë.
“Sinjali i qartë: Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Rusisë nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunimin e ardhshëm – gjashtë muaj pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Serbia ende nuk po merr pjesë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në maj 2023: Aleksandar Vulin (ish-shefi i inteligjencës) dhe Ivica Daçiq (ministër i Jashtëm) përfaqësojnë Serbinë në konferencën e sigurisë në Moskë. Ka rryma të qarta proruse në peizazhin politik serb. Të dy ish-shefi i inteligjencës Vulin dhe Daçiq përfaqësojnë pozicione proruse. Moska është e vetëdijshme se si të irritojë Perëndimin politikisht”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Bild shkruan se “ndërsa Vulin dhe Daçiq janë në Moskë, ka trazira serioze mes ushtarëve të KFOR-it (NATO) dhe serbëve të Kosovës në veri të Kosovës. 30 ushtarë nga aleanca perëndimore u plagosën. Tensionet përshkallëzohen kur 30 paraushtarakë serbë të armatosur rëndë sulmuan oficerët e policisë në veri të Kosovës në shtator 2023. Vritet një polic kosovar. Vuçiq dislokon trupat në kufi”.
Tutje, analiza thekson edhe mungesën e Vuçiqit në samitin BE-Ballkan në tetor 2023, i cili udhëtoi në Kinë dhe u takua me Putinin.