Andi Lila: Do kallëzoj penalisht Bashkinë e Kavajës…

Share

Ish-futbollisti i kombëtares, Andi Lila, aktualisht një nga kandidatët për deputet në qytetin e Kavajës, u përfshi në një incident në vendin e quajtur “Fusha e Vjetër” në qytetin e tij të lindjes.

Andi po jepte një intervistë për karrierën e tij si futbollist, e cila fillimisht kishte nisur në shtëpinë e prindërve të tij, më pas në qendër të qytetit, me qëllim promovimin e vlerave të qytetarëve kavajas, e në pjesën e fundit u pozicionua te fusha, si vendi ku nisi karriera e tij si futbollist.

Në këtë moment, një djalë i quajtur Aldo, i cili prezantohet si drejtori i sporteve të bashkisë, i shoqëruar me një polic bashkiak, i kërkon ish-futbollistit të ndërpresë intervistën, pasi ai tanimë ishte pozicionuar në krahun e kundër politik me ato të bashkisë. Këtyre zhvillimeve, Andi i dha përgjigje në një bisedë për emisionin “Shqipëria Live”, ku ishte dhe i ftuar.

Ish-futbollisti e cilësoi si të turpshme të gjithë incidentin e ndodhur dhe shtoi se ka nisur procedurat për të kallëzuar penalisht Bashkinë e Kavajës. Ndër të tjera ai theksoi se mendon se ka dhënë kontribut të mjaftueshëm për vendin, sa të lejohet të japë intervista në çdo terren e fushë të Shqipërisë.

“Këto ditë nuk kam qenë mirë. Unë nuk dola nga stadiumi i Beogradit, por në stadiumin e qytetit tim. U largova sepse nuk doja që gjendja të agravonte. Më kanë ardhur shumë telefonata, gjej rastin t’i falenderoj. Përshtypja më e madhe është që gjej një lloj sigurie, që shumë njerëz që janë pozicionuar në krahun tjetër politik më ka mbështetur.

Unë do i shkoj deri në fund nga ana ligjore. Nuk dua që të agravohet situata, dje u përdhosën artistët, sot futbollistët. Në ditët në vazhdim do të nis një procedurë ligjore. Unë përveçse një futbollist, jam dhe kryetari i sindikatës së futbollistët, ne kemi avokatët më të mirë dhe do të hartojmë. Është diktaturë t’i mbyllësh gojën tjetrin.

Nuk ishte problemi tek stadiumi, problemi ishte që je demokrat dhe duhet të ikësh nga fusha. Jo vetëm Sokol Cikalleshi, por kushdo qoftë nuk duhet të largohet asnjeri, kjo është diktaturë. Një televizion më kërkoi një intervistë dhe me interes e pranova. Pjesa e parë ishte në shtëpinë time, ku unë jam rritur. Më pas në qendër të qytetit ku po promovoja vlerat e qytetit.

Dhe pjesa e tretë ishte fusha ku unë kisha nisur hapat e para si futbollist. E para, normalisht është shumë shumë e ulët. E para punës kur bën një gabim për herë të parë dhe herën e dytë që dëshiron ta mbulosh atë gabim quhet faj. Sa i përket atyre fëmijëve që i kam shpërqendruar, unë atyre fëmijëve i kam shpërndarë kupa, sepse ato na shohin si idhuj. Ne i mëshojmë dhe nuk dalim të themi që gabuam dhe kërkojmë falje. Jam një djalë nga Shqipëria besoj që kam pasur unë disa kontribute për këtë vend dhe meritoj të jap intervistë në çdo stadium e terren”, u shpreh Lila.


Share

Komente