Antivirusi rus në sistemet e institucioneve shtetërore në vendet që u përballën me sulme kibernetike

0
Shpërndaje lajmin

Sistemi antivirus i prodhuesit rus, Kaspersky shfrytëzohet nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi dhe kjo ka ngritur shqetësimet mbi sigurinë e kompjuterëve në institucionet e këtyre shteteve. Ky sistem që është i ndaluar në SHBA, është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), me të cilin Shkupi hapi negociatat për anëtarësim, rekomandoi ndalimin e shërbimeve të kësaj kompanie ruse, shkruan Radio Evropa e Lirë, përcjellë albinfo.ch.
Kaspersky nuk përdoret as në institucionet e Kosovës, dhe këtë për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deri në publikimin e këtij teksti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat institucione përdorin sistemin antivirus Kaspersky, përcjellë albinfo.ch.
Byroja e Prokurimeve Publike të Maqedonisë së Veriut ka informuar se klinikat shëndetësore shtetërore janë të fundit që nënshkruan për blerjen e shërbimeve Kaspersky. Ky program përdoret edhe nga spitalet tjera, gjykatat dhe komunat e tjera, ndërsa nga viti 2021 u porosit edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sistemi antivirus Kaspersky përdoret edhe nga Ministria e Arsimit, sipas kontratës për prokurim publik të lidhur në vitin 2021. Kjo ministri ishte shënjestër e sulmeve kibernetike vitin e kaluar, shkruan REL, përcjellë albinfo.ch.
Ministria e Financave po ashtu ka kontratë për shfrytëzimin e antivirusit Kaspersky. Në kontratë thuhet se që në këtë moment softueri antivirus (Kaspersky Endpoint Security for Business) është i instaluar në infrastrukturën e Ministrisë dhe mbajtësi i prokurimit duhet të çinstalojë softuerin aktual dhe të instalojë një të ri. Regjistri qendror në raportin e punës për vitin 2020 thekson se në pjesën e modernizimit të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimit, ndër të tjera, është zbatuar rinovimi i mbrojtjes së centralizuar antivirus Kaspersky, shkruan REL, përcjellë albinfo.ch.
Jo të gjitha kontratat janë publikuar në Byronë e Prokurimit Publik dhe në shumicën e atyre që janë publikuar nuk ka specifikime se çfarë sistemi antivirus kanë blerë institucionet, sepse për blerjet nën 5.000 euro nuk janë të detyruara të japin të dhëna të detajuara. Në Maqedoninë e Veriut, shumica e institucioneve shtetërore angazhojnë kompani të jashtme për t’u kujdesur për faqet e tyre të internetit, raporton REL, përcjellë albinfo.ch.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *