October 16, 2021

Apeli urdhëron hetimin e Fatmir Mediut për Gërdecin

Shpërndaje lajmin

Gjykata i ka hapur rrugë kërkesës së SPAK për të rihapur hetimet kundër ish-ministrit të Mbrojtjes rreth rolit të tij në shpërthimin e Gërdecit.

Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha”, Fatmir Mediu.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten të pranojë kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimit për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me çështjen “Gërdeci” .

Me pranimin e kësaj kërkese Gjykata e Posaçme e Apelit revokoi vendimin e vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit, dhe prish vendimin e marrë në korrik të këtij viti nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë duke e kthyer çështjen për hetim në duart e Prokurosisë së Posaçme.

“Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Saida Dollani pa praninë e palëve të interesuara.

Rihapja e çështjes u vu në lëvizje pas 12 vitesh me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve” , me 26 viktima.

Avokati i familjarëve të Gërdecit, Dorian Matlija, duke folur për mediat tha se ky vendim më në fund ka hequr një pengesë juridike dhe jemi në kushtet kur çështja mund të nisë.

“Çështja është e gjatë dhe shumë e komplikuar. Edhe Fatmir Mediu do ndërmarrë veprimet e veta juridike. Lajmi i mirë është që është hequr një pengesë absurde jurdike. Argumentet e Gjykatës së Shkallës së Parë kanë qenë të gabuara. Gjykata kishte mendimin që ajo çështje ishte gjykuar. Por sipas Konventës Evropiane të të Drejtat e Njeriut një njeri quhet i gjykuar kur dënohet apo shpallet i pafajshëm”, tha ai.

Ish-ministri Mediu, i cili i shpëtoi gjykimit në vitin 2009 për shkak të imunitetit të deputetit iu përgjigj pyetjeve nga BIRN duke shpërndarë një qëndrim të avokatit të tij Ardian Visha.

“Vendimi i deklaruar në media nga  Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, përbën një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit”, thuhet në njoftimin që iu dha BIRN nga vetë deputeti Mediu. Ardian Visha avokat i Fatmir Mediut thotë  po ashtu se do të ndjekë rrugët ligjore të përshtatshme, ndërsa pretendon se kemi të bëjmë me shkelje të sigurisë juridike dhe e quan vendimin të paligjshëm.

Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të pushimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por Gjykata e Lartë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen e tij duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ndërsa argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar.

Me vendimin e sotëm i hapet rruga SPAK që të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.

*Shkrimi u përditësua për të përfshirë qëndrimin e avokatit të Mediut.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *