Ari Kasapi: 90% e njerëzve aty ku vijon zjarri në Rhodes janë shqiptarë
Shqiptari që jeton në Greqi, Ari Kasapi tregoi në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se 90% e banorëve aty ku vijojnë flakët në Rhodes janë shqiptarë.
Ai tregoi se sot kanë hyrë në ditën e nëntë të zjarrit, me vatrat që shtohen pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur nën kontroll situatën.
“Numri në Rhodos i komunitetit shqiptar është rreth 3800 persona, punojnë dhe jetojnë këtu me vite. Në zonën ku është zjarri mund të jenë rreth 2000 shqiptarë të cilët punojnë dhe të gjithë këta që po flasim sot kanë dalë nga shtëpitë sepse fshatrat ku rrinë ata janë nën pushtetin e flakëve. Mbrëmë ka shkuar zjarri në një fshat ku jetojnë shumë shqitarë, 90% e tyre janë shqiptarë,” – u shpreh Kasapi.
Mediat ndërkombëtare e kanë konsideruar si një katastrofë biblike atë që po ndodh me zjarret në Rhodes dhe në gjithë Greqinë po ashtu. Flakët masive mbi 34 mijë hektarë tokë dhe bilanci mund të jetë akoma edhe më i rëndë.
Pavarësisht angazhimit të qindra efektivëve zjarrfikës, dhjetëra mjeteve, e madje edhe ndihmës me avionë nga Turqia, autoritetet thonë se zjarret nuk po vihen nën kontroll as në ditën e tetë.
Gati 20 mijë njerëz janë evakuuar deri më tani. Mediat britanike thonë se gati gjysma janë turistë nga ky vend, të cilët po largohen me avionë të posaçëm të dërguar nga qeveria e Britanisë së Madhe.