Arrestohet presidenti i klubit të njohur europian, 5 vite burg për korrupsion, borxhe të mëdha dhe lojtarë pa paguar (Video)

Share

Presidenti i klubit rumun të futbollit Astra Xhurxhu, Ion Nikulae u arrestua sot në aeroportin e Bukureshtit pasi u kthye nga Italia. Miliarderi rumun është dënuar nga Gjykata e Apelit të Bukureshtit me 5 vite burg për pastrim parash, korrupsion, evazion fiskal, etj.

Urdhërarresti u lëshua ditën e djeshme, por forcat e rendit nuk e gjetën në banesë 66-vjeçarin. Në një bisedë telefonike me televizionin rumun “Antena 3”, biznesmeni deklaroi se do të kthehej sot në atdhe pasi ndodhej në Itali dhe nuk kishte për qëllim t’i shpëtonte arrestit.

Sipas hetimeve, presidenti i Astra Xhurxhu vërtetohet se ka manipuluar kontratat e marrëveshjes me një tjetër kompani biznesi në mënyrë që të shmangë pagimin e taksave. Dëmi financiar llogaritet në 2.2 milionë euro.

Ion Nikulae ka patur problem të vazhdueshme me drejtësinë rumune. Ai u dënua me dy vite e gjysmë burg në vitin 2015 për financim të paligjshëm të ish-kandidatit për president Mirçea Xheoana në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009. Ai u fal në vitin 2016.

Në vitin 2014, ai konsiderua nga revista “Forbes” si njeriu më i pasur në Rumani me 1.1 miliard euro. Pasuria e tij ra ndjeshëm pas vitit 2015.


Share

Komente