January 20, 2022

ASH: Edhe ky vit pa datë për BE, vendit i duhen zgjedhje të parakohshme

Shpërndaje lajmin

Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjedhje të parakohshme.

Sipas kësaj partie, vendi nuk ka një datë për celjen e negociatave për në BE dhe kërkohet rrëzimi i kësaj Qeverie.

NJOFTIMI I ASH:

Kalon edhe viti 2021 pa datë për hapje të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE – Thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare

Dje, për të satën herë me radhë, Këshilli evropian, nuk dha dritën e gjelbër për hapje të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) në BE.

Kjo dëshmon se regjimi LSDM-BDI ka dështuar në përmbushjen e kushteve të BE-së, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës dhe zbatimit të Traktatit të miqësisë me Republikën e Bullgarisë të gushtit 2017. Tanimë askush nuk mban mend as edhe numrin e dështimeve të njëpasnjëshme të kabineteve Zaev I dhe II për të fituar datë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE që nga qershori 2018.

Por ajo që është shqetësuese kësaj here përtej gënjeshtrave dhe mashtrimeve bajate me data të figurave të regjimit, është se i tërë procesi tanimë është shndërruar në farsë pas sabotimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë nga ana e disa deputetëve nën pretekstin e agjendës së integrimeve evropiane.

Sot, me të drejtë, qytetarët pyesin ata që vendosën t’ia zgjasin jetën këtij regjimi, se ku janë ata diplomatë ndërkombëtarë që u kishin bërë thirrje atyre që t’i bashkëngjiten regjimit gjoja sepse kështu vendi do të fitonte datë për hapje të negociatave në dhjetor. Apo vallë, nuk bëhej fjalë për burime diplomatike por për burime të majme financiare të regjimit dhe premtime për pozita për të zhvatur shtetin në emër të integrimeve evropiane?

Ajo që është e qartë pas fiaskos së sotme, është se regjimi nuk mund të fshihet më pas agjendës evropiane e cila është e bllokuar për shkak të dështimeve të tyre të njëpasnjëshme. Sot, për shkak të keqmenaxhimit të këtij regjimi, qytetarët po përballen me kriza të shumëfishta shëndetësore, ekonomike dhe energjetike. E përbashkëta e tërë këtyre krizave është korrupsioni i regjimit LSDM-BDI i cili ka sjellur vendin në mesin e vendeve më të korruptuara në botë.

Por ajo që tanimë është edhe më shqetësuese është se korruptimi i tyre nuk po dëmton vetëm xhepin e qytetarit por se korrupsioni ka filluar të kushtojë me jetë qytetarësh. Kujtojmë se kanë kaluar 3 muaj nga tragjedia e spitalit modular të Tetovës ku u dogjën të gjallë 14 qytetarë si dhe 3 javë nga tragjedia e autobusit Besa Trans ky u dogjën të gjallë 44 të tjerë, dhe se askush ende nuk ka dhënë përgjegjësi. Madje familjet nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga shteti rreth shkaqeve që u kushtuan me humbjen e më të dashurve të tyre.

Sa i përket mosmarrjes së datës, natyrisht se regjimi do të fajësojë Bullgarinë e kë mos. Por qytetarët fare nuk u besojnë më gënjeshtrave të tyre. Është e padrejtë që paaftësia e regjimit t’u faturohet qytetarëve. Vazhdimi qoftë edhe për një ditë i këtij regjimi është i dëmshëm për vendin dhe për qytetarët të cilët po kërkojnë përmirësim të jetës së tyre, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, drejtësi dhe barazinë e qytetarëve pa dallime, si parakushte themelore për të materializuar perspektivën evropiane të vendit.

Pra, ky pushtet ka sjellur vendin në një qorrsokak nga i cili nuk mund të dalin. Andaj, u bëjmë thirrje atyre deputetëve që ende po shqyrtojnë mundësinë e bashkëngjitjes kësaj anije që po fundoset, që t’i thërrasin mendjes dhe të tërhiqen nga aventurat e tilla. Rrethanat e reja të krijuara pas këtij refuzimi të ri nga ana e BE-së nuk lënë zgjidhje tjetër përpos rrëzimit të regjimit LSDM-BDI dhe krijimit të një qeverie ekspertësh e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëm kështu, vendi do të ketë një qeveri vërtet reformiste e cila ka fuqinë dhe vullnetin politik për të materializuar perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. / /


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *