“Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël”/ Basha premton ngritjen e Bordit të Transparencës Fiskale

Share

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka prezantuar sot pikat e programit të PD-së për biznesin dhe antikorrupsionin në kuadrin e Programit qeverisës “Shqipëria fiton”.

Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se do të angazhohet të ngrejë Bordin e Transparencës Fiskale, të pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale.

“Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel, ku në qendër është individi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor”, u shpreh Basha.

Gjithashtu ai theksoi se nuk do të ketë asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve.

“Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën në treg. Nuk do të ketë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën” theksoi më tej Basha./CNA.al


Share

Komente