Atdheu si Dasanta H.

Share

Shkruan Vladimir Myrtezai

Lourin Sana, pas një pune të rrëmujshme sistemimi në studion e tij, ndjeu dëshirën të rrinte disi veçuar, dhe ia mbathi nga kryeqyteti drejt veriperëndimit, në një plazh të afërt, ku kishte të ngarkuar mbi vete një shtëpi, që më shumë i shërbente për arratitë e tij të shpeshta nga rrëmuja dhe mbingarkesa. Gjatë rrugës për në banesën e arrative kish ndezur online një bisedë me një të njohur, një djalë i ri piktor, që i tregonte historinë e tij më të fundit, fillimin e një jete të re si emigrant në Angli, si dhe vështirësitë e para për t’iu bashkëngjitur jetës në arrati. Po e ngacmonte ky lloj rrëfimi, ngaqë ai i tregonte se si e kishin arrestuar , pasi kishte shkelur në mënyrë të paligjshme tokën e premtuar, dhe ishte katandisur në fatin e tij të disahertë, më në fund,  në një burg për rrefugjatët. Arsyeja se pse shpjegohej gjatë ishte sepse ndjente dëshirën të fliste nga ai kaush i largët, për të cilin mendonte se do e prisnin dritat vezullonjëse alla franga. Lourin Sana mendonte çlirët se në çdo hap të jetës mund të të shkëndijojnë pikëtakimet me atë çfarë ke investuar, por e zbuloi ngjarjen e mikut të tij me fatalitete që nuk i ndaheshin tashmë azil-kërkuesve nëpër botë.

Miku i tij, pas traumës-shok që kishte kaluar, i rrëfente Lourin Sanës se si ishte adresuar te refugjatët e ndaluar me arrest, një projekt tërheqës për të shtuar gazmimin e depresionin e të burgosurve me një temë shumë të goditur – lirinë. S’kish si të ishte më e qëlluar si gjetje, ngaqë të gjithë ata, gati tetëmijë të burgosur, vuanin mungesën e lirisë dhe prisnin me ankth se çfarë do ndodhte me fatin e tyre.

Ekspozita do bëhej në Londër, në një qendër industriale në periferi, ku kishte mëse njëzetmijë vizitorë që do e shkelnin si një ngjarje të rrallë, ku liria qe thelbi i qenies dhe blerja e saj nuk njihte çmim. Miku i tij vazhdonte t’i shpjegonte se si nga një formë fatalizmi, pa shpresë, i kishte trokitur në derë një mundësi, një rast që po e zgjonte, të cilin po orvatej ta shfrytëzonte në një formë që e bënte krenar, dhe sidomos e çdamkoste aq sa qe e mundur nga një histori burgu, e rëndomtë nën statusin e një emigranti të zakonshëm.

Lourin Sana mezi po priste të shkëputej nga biseda me të, pasi ndjehej i ngacmuar dhe disi i gëzuar, që përveç fjalëve ngushëlluese për mikun e tij, e pickonte ideja për të vjelë e hedhur në rreshta se si papritur, udhëtimet i ktheheshin në një ngazëllim krijues; si me shajni i krijonin një sfond të pushtë në arratitë e tij drejt vendit ku, sa herë që udhëtonte, zhytej mugët në një skenë që i ngiste nepsin për t’u rrethuar nga njerëz që mungojnë dhe fjalë për të zhvendosur këtë mungesë, që jo gjithherë ishte në të njëjtin hov ngasës. Nuk ishte rastësi: i ndodhte shumë shpesh, sepse arratitë e tij nga poterja e njerëzve ishin një oksigjen pa të cilin s’bënte dot. Gjendje të tilla i shkaktoheshin së shumti sa herë ndjente një mbilodhje nga gjëra e detaje që i mërzisnin ëndërrimin për jetën. Si fatalist i pandreqshëm, të gjitha disfatat sfumoheshin në ndërgjegjen e mësuar tashmë, dhe merrnin ngarkesën e rrëfimit si një lumturi e pakët dhe e kursyer, sidoqë e mjaftë dhe e ngjyrtë si kasollja e tij modeste në një tjetër rrëmujë të ëmbël, e cila vuloste fatin e tij si narrator.

Makina e tij po humbiste në muzg e smog, dhe për një çast iu duk vetja si në një shtëpi të dytë, në një kubaturë edhe më të vogël se ajo në fshatin bregdetar, por e nanuriste ideja kur për pak iu duk vetja si një personazh që vetëm merr arratinë nga zhurmat dhe ritmi pa arsye e pa motivim, apo si një mikroborgjez që i bënte hile ngarkesave-përgjegjësi, që një burrë thuhej se duhej t’i mbante mbi kurriz e të mos rrëshqiste pa nam e nishan. Por, megjithatë, pavarësisht mungesës konvencionale të lavdisë, gjente njëfarë ngushëllimi të veçantë te ideja e njeriut të dobët, që jepet aty për aty.

Iu kujtua pasditja e rrëmujshme, ku i duhej të sistemonte gjithë atë kaos në studion e tij: i duhej të transferohej në një tjetër hapësirë, edhe më të madhe, që të ndjehej më lirshëm e më diskret në jetesën e tij, që me thënë të drejtën e kishte ëndrrën më të madhe të mosrealizimit. Duke bërë e çbërë arka, vuri re që ishte bërë gjithë ai volum punësh që i shpëtonte nga mendja, dhe shumë punë të hershme që behnin mu para syve i tingëllonin si më mirë dhe me një trajtë malli për shenjat dhe kohën që ai harxhonte mbi pëlhurë, plus dhe shenja të tjera nga kuzhina e një artisti. Shpesh mërzitej me veten, se i dukej që i gjithë ky sfond marramendës urban e nxirrte jashtë vemendjes dhe e përjashtonte dhunshëm me agresivitet.

Si fatalist që ishte, mendoi me veten se nuk se kish ndonjë ndryshim të madh me mikun e tij emigrant, pasi ai, në njëfarë mënyre, donte të kapërdinte një kafshatë më të madhe në një hapësirë po më të madhe. Duke vijuar me këtë kuisje arsyetimesh, dalloi rrethinat e para të fshatit bregdetar, dhe u shkund që të mund të akomodohej në këtë vend ku i dukej se fshihej në mënyrë poetike.

Në vijën ku përthyhej horizonti, ose aty ku puthej qielli me vijën ndarëse të ujit, dalloi siluetën e një anijeje të cilën nuk e kishte pikasur më parë: një vizatim me tone të rrafshëta dhe me një qetësi valëzuese sugjestive. Mendoi se do ishte diçka që kish të bënte me anijet e kohës, ndonjë makineri lufte, më shumë se sa një traget udhëtarësh apo një anije mallrash. Një shtrirje e minimizuar, një ton i përkorë që të shtonte peshën e një gjëje që nuk kishte të bënte me brigje mesdhetare, por me diçka që nuk ishte në gjendje ta merrte me mend. Pamja e re i ndryshoi gjendjen dhe u vetëngushëllua edhe një herë se duhej të lëvizte sa më shpesh, pasi të gjitha udhëtimet apo arratitë e oksigjenonin dhe e sillnin në një shtrim të butë fantazie.

Lourin Sana u thellua në vendpamjen e zgjedhur dhe u mundua të mos fokusohej, sepse po jetonte spontanisht një moment ngazëllyes, dhe me një ndiçim krejt ndryshe nga sa la pas në kryeqytetin e rrëmujshëm. U shtriq në poltronën e tij dhe po ndiqte me kujdes mjegullnajën e fundme që të dhuron perëndimi, dhe kësisoj u fut thellë në ngasje: elemente të hershme që bymeheshin, me qindra përfytyrime të varura në ndërgjegjen e tij, të lëshuara, pa fre; projekte, parafytyrime, ndërhyrje drastike e të buta njëherësh, lodërti fjalësh si të marra përdhunë nga një muze, parakalime që hedhin në erë kufij pa themel e të tjera kësodore.

9ea8571d 547c 4470 87eb d45ef2612377

Ballë këtyre prehjeve, të ngjashme me një jetë parake, që rri stoike në një hapësirë të pamundur: një pamje e sheshtë përballë, gati vertikale, që të duket se sa të hapësh krahun, ke të drejtën ta lëvizësh si në një screen të madh gjithë formën e ëndërrimit me gjerësinë e papushtueshme në sipërfaqen e pamatë të detit.

Iu mblodhën në gjoks shumë tone ngjarjesh, që i ishin mpleksur në ndërgjegje: djaloshi i guximshëm në perëndimin e largët, i izoluar, që përpiqej të ringjallte trajtën sublime të identitetit rrënjë, vetvetja që arratisej si pamundësi përballjeje me kaosin dhe anarkinë ditore, që e çfokusonte, dhe të tjera liri ndërgjegjesh të brishta, që valëzonin në parehatinë e tyre për të zënë një qoshk kuvendimi me zërat e heshtjes. Iu kujtua një tjetër mik, që stërmundohej brigjeve të një përroi që nuk kish fuqinë për të qenë lumë, që përpiqej të ngrinte ëndrrën e tij të munguar duke modeluar hapësirën me lloj-lloj formash arketipore, të cilat gjasmuan revolucionin e parë postkomunist në vend. Po ashtu, edhe një çift artistësh që jetonin së bashku, që përpiqeshin në një vertikale të një banese hibride, ku donin të banonin e të krijonin nën një stërmundim që i ngjante dora vetë kaosit urban kryeqytetas.

Po lundronte në mbaresat e të pandërgjegjshmes në mbarim të ditës së tij, teksa muzgu mbrëmjesor sa vinte e po mbyllej atje tej në horizont, në një shtrirje pushtuese. Gjindja në formë njollëzash të zvogëluara po shpërbëheshin si efektet e një akuareli të ujshëm; plot gjeste të papritura, virtuoze, prekje të buta, errësirë…

Kjo tablo e pamatë e fundmbrëmjes, po i merrte hapësirë përbrenda, duke i shtuar spazmat e një mallëngjmi gati abstrakt, të pagjykueshëm, që natyra ia vinte në ballë si një ngushëllim i pazëvendësueshëm, veçse me një tjetër dimension të pambarim.

Shtrirja e pacak e pushtuese miklonte kujdesin e deliruar të Lourin Sanës: personazhe në radhë, në formë, të pazgjedhur e të vagullt – ja ku dallonte veçmas, në një mbështjellje të heshtur e të pashpjegueshme – Dasanta H., një ish studente e tij. Sa herë hynte në raporte të mëdha e të mallëngjyeshme, i dilte para syve ajo, krejt beftë, natyrisht; e patrazuar, si statujë e ngrirë, si kundërformë e kaosit që e kish stërmunduar. Një bulëzim i padukshëm, shumë i heshtur, në shtrirje të gjatë valësh, madje më absolute se heshtja vetë.

Lourin Sana rrethohej në ndërgjegje nga limanë të padukshëm njerëzish që e gërvishtnin, ose i rrinin të strukur në mbamendje, si trajta të buta shoqëruese, që nuk shqiten; si projeksione të së pamundurës, pasi kishte kohë që kish humbur qetësinë e epërme dhe magjinë e sfidës.

Në këtë trajektore të fshehtë të stimës ai kish stacionet e tij ku bareste, dhe përngjante format e admirimit, të gjitha të pangjashme, si një energji që e mban gjallë shpresën në natyrën njerëzore. Një çast stopoi duke menduar, se ende ka shpëtimtarë që bëhen njësh me të ardhmen, dhe kaq i mjaftonte të zhbënte e hidhte tej gjithë atë ngarkesë-ngërç të krijuar nga lidhje që e mbanin të tendosur, si detyrime apo zotime patetike e të kota, që në njëfarë mënyre i ngjanin lidhjeve të pazgjidhshme që të nxjerr jeta në shteg.

Së brendshmi, Lourin Sana jetonte në një mënyrë të fshehtë, me limanë paralelë, si cilësi e pamatë e jetës, dhe në një mënyrë a në një tjetër, kjo ikje e bënte që të kishte ende shpresë t’i shpëtonte batakut të përditshmërisë. Por, shpesh, këto projeksione të gjalla e rrethonin nga afër dhe nga larg, dhe i përkëdhelnin sedrën, ama edhe e xhelozonin ca, atëherë kur këto bulëzime e tejkalonin disi me mundësinë e gjallë sfiduese. Të tilla shfaqje e bënin të ndihej si në faj, pasi ishin më të qeta se vetë vëmendja e ngulët e tij. Ky moment e asgjësonte, ngaqë humbte toruan, dhe shembulli qe më i lartë se korniza e përfytyrimit. E zhvidhoste në themel energjia e fshehtë dhe e sheshtë e këtyre embrioneve që përsilleshin somnambul. Energji që mbretëronin moskokëçarazi, duke besuar në gjëra që i gjithë agresioni urban dhe njerëzit që e shkaktonin nuk e vinin re.

Gjithfarë rraqesh në formë halli qarkullonin në atmosferë, si prona që nuk zinin vend, dhe në cikle të mbyllura krijonin rrëmujën e interesave, nga më të paimagjinueshmet. Bulëzimet ëndërrore i silleshin në ndërgjegje, të lira, të pakufizuara e pa interes, si sublimime pa konak, pa krevat e pa sipërmarrje. Kjo e mrekullonte dhe e ngushëllonte në gjendje të parë, duke ia përkëdhelur paaftësinë për t’u ngarkuar me të tilla përgjegjësi. Një luftë me ndërgjegjen, që ngre format e krahasimit për të kuptuar vendosjen e tij në hierarkinë njerëzore. Po ja, shpëtimtarët e tij të botës së ëndrrave, që ishin aty si statuja pa piedestal, të lira, shpërfillshëm e magjiplotë. Somnambulë të së ardhmes, të një bote pa ligje e rregulla, pa statuse të veçanta, por si udhëtarë të kësaj rrokullie e të ndërgjegjes së lirë, që afroheshin si trup e mendje, pa e çarë kokën për tapi, luftra, për territore, për kufij etj. Ëndërrimtarë pa flamuj ndarës, por si bashkëngjitje e të ndjerit në tokën e tyre të padukshme.

Kështu kalamendej Lourin Sana sa herë zhdukej nga vendet e rrëmujshme, dhe merrte në bashkëshoqëri të tillë shpirtra të lirë, që zhvendoseshin nga të tjerët pa bërë zë e pa ngarë kënd në mbretëritë e zhbëra të qejfit.

Dasanta H. ishte një liman ku në mënyrë të heshtur rrezatonte një lloj ajri me ndjeshmëri, që si i tillë, për Lourin Sanën ishte ngazëllyes, si një status i harruar i tij për shkaqe nga më banalet në sofrën e jetës. E mallëngjenin hapësirat e saja të qeta, që e mbanin një tension të brendshëm, plot lëng, se si bëheshin qëllim e trajtë, edhe ndërhyrje. I pëlqente pamasë atdheu i saj i zgjedhur, i veçuar. I pëlqente format e sjelljes pa komplekse, që i buronin nga ndjeshmëria dhe zgjedhja. I pëlqente se si sundonte dhe i kthente në shkaqe krijimi marrëdhëniet me djem e me vajza që i kalonin pranë. I pëlqente heshtja e saj, ngrirja dhe gjykimi për gjëra thelbësore që nuk bënin zhurmë, por krijonin postoblloqet e përcaktimit.

Dasanta H. qe forma jo e poetizuar apo romantike e njeriut të kohës, që e pi mushtin e saj të hidhur, si lëngun e gjithë pesticideve të mbledhura së bashku, pa u rrudhur në fytyrë, si një gjë normale a si kushtëzim i përkohshëm gjërash që duhen gëlltitur në favor të një gjendjeje domethënëse. Ja pse ishte i bindur që të tillë limanë ishin rrjedhojë e një fuqie të përshtatur për atdheun që kishin zgjedhur.

Iu rrokullis në mendje edhe një herë e gjithë dita e rrëmujëshme dhe e lodhshme që kish kaluar; iu duk si një montim i shpejtë nën një ritëm të çmendur që deshe nuk deshe të dilte përpara. Mendoi se shpëtoi paq nga kaosi, por ishte e pamundur – ja ku i silleshin në vetëdije të gjitha postimet e ditës në kalim, si një formë analize që ishte i detyruar t’i kthehej sërish, për t’u zhytur kësisoj po në kaos, realist, tepër realist, përtej optimizmit të çartur dhe pesimizmit ndrydhës.

U shtri në krevatin e tij pa u zhveshur, me dëshirën që të shplodhej e të merrte një sy gjumë. Dremiti për pak. U ngrit sërish. Ishte mesnatë. Për çudi, ca pula kakarisnin diku poshtë oborrit të tij. Kujtesa fekste me fasho të shumta drite mijëra riprodhime të shpejtuara ngjarjesh. Iu faneps ajo, Dasanta H., poshtë një ure në natyrë, diku në jug, që si një trill kish pushtuar dritën e hënës në një pikë të vetme, nudo, sfiduese në atdheun e saj të zgjedhur; rrinte perpendikular me hënën, pa lëvizur, si monument në natyrë, duke sfiduar gjithçka.

Hapi laptopin, rregulloi pranë qesen e duhanit dhe drodhi një cigare; rrëkëlleu një lloj brandy që kish tepruar dhe nisi të shkruante. Formësoi një titull që iu ngulit në mendje, i ngatërruar për t’u shpjeguar; një keqkuptim i madh mbi përkatësinë në kufi me atdheun. Një atdhe që e zgjedh dhe një atdhe që rastësisht, nga forma detyruese që ngre njerëzimi, duhet të jesh pjesë e tij.

Mëngjesi nuk po ngutej në shtrirjen e tij, si në një marrëveshje të fshehtë me vetë Lourinin, që të mos ia lëndonte fokusin për gjërat e ndaluara në dukje, që ai i kish aq për zemër. Kakarisjet e pulave dhe troku i tastave në laptop qenë shoqërueset e para të agut që po hynte në dritaren e tij, pa zhurmë, pa hap rrjeshtor, e pa lavdi.

The post Atdheu si Dasanta H. appeared first on Media .


Share

Komente