Austria ka ndërprerë vendimin për vaksinimin e detyrueshëm

Shpërndaje lajmin

Shteti austriak ka ndërprerë vendimin për vaksinimin e detyrueshëm. Kjo ndodhi pasi është paraqitur raporti i Komisionit për vlerësimin e këtij vendimi, shkruan albinfo.at.
Sipas raportit të Komisionit të Vlerësimit, “aktualisht nuk ka asnjë arsye për zbatimin e detyrimit të vaksinimit”.
Këtë e bëri të ditur ministri i ri i Shëndetësisë, Johannes Rauch, nga radhët e të Gjelbërve dhe Ministrja Karolina Edtstadler (OVP) pas Këshillit të Ministrave.
“Pas konsultimeve me ministrin e Shëndetësisë, ne kemi vendosur që sigurisht që do të ndjekim atë që ka thënë komisioni i ekspertëve të shëndetësisë. Ne nuk shohim të nevojshme të zbatojmë vaksinimin e detyrueshëm për shkak të variantit Omicron, më i përhapuri kryesisht në vend”, raporton albinfo.at.
Komisioni do të rivlerësojë vendimin në mes të qershorit.
Më 4 shkurt, Austria u bë vendi i parë në Evropë që vendosi vaksinimin e detyrueshëm për qytetarët e rritur pasi Presidenti Alexander Van der Belen nënshkroi ligjin.
Me ligjin për vaksinimin e detyrueshëm, qeveria austriake u përpoq të rriste shkallën e vaksinimit për shkak të shfaqjes të rasteve të reja të virusit, por edhe imunitetit kolektiv të qytetarëve.
Menjëherë para shpalljes së vaksinimit të detyrueshëm në muajin nëntor, është shënuar rritje e numrit të dozave të para të marra, por fillimi i zbatimit të ligjit nuk ka pasur një efekt të tillë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 70 për qind e popullsisë ka një certifikatë vaksinimi aktiv dhe rreth 76 për qind e qytetarëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Ndërkohë mendohet se rreth 1 milion persona në gjithë Austrinë janë të pavaksinuar.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published.