October 21, 2021

Banorët e Zall Gjoçajt protestojnë për ‘zgjimin e drejtësisë nga gjumi’

Shpërndaje lajmin

Banorë dhe aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Zall Gjoçajt protestuan të mërkurën përpara Gjykatës Administrative të Apelit kundër zvarritjes së padive prej më shumë se një viti.

Banorët e Zall Gjoçajt dhe aktivistë mjedisorë protestojnë me këmborë në duar në Gjykatën Administrative të Apelit. Foto kortezi: Citizens Channel.

Banorët e fshatrave të Zall Gjoçajt në Mat protestuan të mërkurën përpara Gjykatës Administrative të Apelit kundër zvarritjes prej më shumë se një viti të çështjes kundër ndërtimit të HEC-eve në Parkut Kombëtar. Në këtë protestë, banorët kishin marrë me vete këmborët e bagëtive, që simbolizojnë për ta “zgjimin e drejtësisë nga gjumi”.

“U bë thuajse një vit që kur ne kemi dorëzuar ankimet dhe megjithë kërkesat tona për përshpejtim të procedurës nuk kemi ende asnjë reagim. Kompania ndërtuese vijon punimet për ndërtimin e HEC-it brenda një parku kombëtar, ku me ligj nuk lejohet që as bagëtitë të kullosin,” tha njëri prej protestuesve në deklaratën e lexuar përpara gjykatës.

Për banorët protestues, shqyrtimi i kësaj çështje nga Gjykata Administrative e Apelit është urgjente, pasi çdo ditë e humbur mund të sjellë dëme të pandreqshme në ekonominë e zonës.

Koncesioni për ndërtimin e HEC-eve në zonën e mbrojtur të Zall Gjoçajt e ka zanafillën në vitin 2013, ndërsa leja e ndërtimit në favor të kompanisë Seka Hydropower u miratua vjeshtën e vitit 2018. Megjithë këmbënguljen e protestuesve dhe djegien e disa makinerive, kompania ka vijuar punën dhe HEC-et janë afër fundit, edhe pse sipas banorëve dhe sipas Gjykatës Administrative të shkallës së parë, paligjshmëria në to është e dukshme.

Për Dhimitër Kolecin, një nga banorët protestues që prej fillimit të punimeve për ndërtimin e HEC-eve, mbajtja pezull e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit është një tallje për ta.

“Dora e zezë që po ndërton në Parkun Kombëtar të Zall Gjoçaj i ka lënë në harresë dosjet dhe dokumentat në sirtarët e gjykatës. Vetëm në rastin e ndërtimit të HEC-it në parkun Kombëtar të Zall Gjoçaj, janë mbi dhjetë shkelje ligjore,” tha Koleci.

Protestuesit kanë siguruar vetëm “fitore të vogla” në Gjykatë, ku njëra prej padive solli anulimin e licencës së kompanisë për të prodhuar energji nga HEC-i Zais –që ndodhet brenda zonës së mbrojtur. Për Adem Gjokolën, është e çuditshme që kompania të mos lejohet të prodhojë energji në një park kombëtar dhe nga ana tjetër të lejohet që të përfundojnë punimet për shtrirjen e tubacionit.

“Janë mbi 2500 bagëti, bletë që do të ngordhin për ujë. Sepse këto e kanë futur në tuba, e kanë ndryshuar rrjedhën e lumenjve në 28 km. E kanë tharë, e kanë zhdukur edhe peshkun troftë,” shtoi Gjokola.

Në deklaratën e grupimit “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj” thuhet se vonesa e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit, ka sjellë që punimet vazhdojnë në park kombëtar. “Drejtësia e vonuar çdo ditë e më shumë bëhet drejtësi e mohuar. Dëmtimi i parkut kombëtar, tharja e tokave për kilometra të tëra dhe pamundësimi i jetës për dhjetëra fshatra në mungesë të ujit e bëjnë trajtimin e çështjes urgjente. Lënia pa ujë e banorëve nuk është investim, por dëbim,” thuhet në deklaratë.

Banorët e Zall Gjoçaj në shkurt të këtij viti paditën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi dhe zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, por edhe kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj për lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea.

Banorët ngritën 7 akuza ndaj zyrtarëve dhe kompanisë; por nuk ka ende një vendim të SPAK për çështjen.

Protestuesit kundër ndërtimit të HEC-eve në Zall Gjoçaj kërkojnë përshpejtimin e gjykimit. Foto kortezi: Citizens Channel.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *