Bashkimi Kosovë-Shqipëri/ Majko: Kjo histori duhet mbyllur

Share

Deklarata e Albin Kurtit se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, për ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është një histori që duhet mbyllur dhe se tani prioritet për ‘Vetëvendosjen’ dhe liderin e saj është drejtimi i Kosovës.

Në një intervistë në Euronews Albania, Majko deklaroi se diskutime të tilla, krijojnë probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës.

“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës Kosovën, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Diskutime të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës, e kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari. Ndërkaq më e rëndësishme një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme nga shteti që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera”, deklaroi ish-kryeministri.

Pandeli Majko i bëri thirrje Albin Kurtit që duhet të fokusohet tek forcimi i shtetit të Kosovës dhe të mos nxisë hapjen e diskutimeve të tilla.

“Nëse ata do të mendojnë se Kosova është duke bërë një jetë të dyfishtë kjo do nxiste shtetet e tjera, të ishin më të rezervuara për njohjen e Kosovës.  Histori të tilla duhen mbyllur, ‘Vetëvendosja’ dhe lideri i saj duhet të mendojnë vetëm për një prioritet dhe ky është për drejtimin e shtetit të Kosovës”, ka shtuar z. Majko./CNA.al


Share

Komente