BE: S’e dimë përmbajtjen e draftit të Kosovës për Asociacionin prandaj s’mund ta vlerësojmë

0
Shpërndaje lajmin

Bashkimi Evropian ka thënë se e ka të pamundur ta vlerësojë tash për tash një propozim të Qeverisë së Kosovës për ta përpiluar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të vetin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
BE ka thënë se nuk mund të bëjë vlerësim, përderisa nuk është në dijeni për përmbajtjen e draft-statutit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me bllokun, i cili e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve fqinje prej vitit 2011, përcjell Albinfo.ch.
“Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin e dialogut, BE-në. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano.
Të enjten ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit./Albinfo.ch/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *