Begaj: 15 vjet më parë u jetësua vizioni euroatlantik i shqiptarëve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në 15-vjetorin e anëtarësimit të shtetit në Aleancën Euroatlantike u shpreh se u jetësua vizioni euroatlantik i shqiptarëve.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-së dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi”, ka shkruar Begaj.
Tutje shton se “Shqipëria në këto 15 vjet në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike”.
“Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, shtoi ai.