‘Bekoi’ luftën në Ukrainë, BE pritet të sanksionojë patriarkun Kirill

Shpërndaje lajmin

Bashkimi Evropian planifikon të vendosë sanksione ndaj kreut të Kishës Ortodokse, Patriarku  Kirill – aleat i Kremlinit, i cili ka bekuar luftë në Ukrainë – tregon një draft dokument sipas ‘The Guardian’.
Kirill, i cili përdori një lutje në mbështetje të ‘operacionit special të Rusisë’ pak ditë pas pushtimit, tani rrezikon të bëhet pjesë e listës së emrave të sanksionuar nga BE, ku deri tani përfshihen 1 mijë persona të fuqishëm rusë.
Ai është një nga 57 personat që mund t’i ndalohet udhëtimi për në BE si dhe ngrirja e aseteve.
Zyrtarë të BE gjithashtu kanë vendosur në shënjestër  familjarë të sekretarit për mediat të Putinit, Dmitry Peskov, i cili ishte në listën e kaluar të sanksioneve.
Bashkëshortja e tij, Tatiana Navka, pritet të shtohet në listë jo vetëm për shkak të martesës por edhe për shkak të bashkëpronësisë së një prone në Krime, e aneksuar nga Rusia në 2014.
Në listë pritet të shtohen dhe fëmijët e tij, Nikolay Peskov, i cili jeton në BE me paratë e babait të tij dhe Elizaveta Peskova, e cila bën jetë luksoze falë njohjeve të të atit.
Gjithashtu, pritet që pjesë e sanksioneve të jetë Marina Mordashova, gruaja e personit më të pasur në Rusi, Alexei Mordashov.
Ajo ka përfituar nga asetet e bashkëshortit, i cili është aksioneri më i madh i Severstal, kompanisë ruse më të madhe të çelikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *