Berisha reagon për mbajtjen e Qynos në SPAK: Stop terrorit nga Skapi i Partisë, po i kërkojnë brutalisht të tregojë burimet e informacioneve
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për mbajtjen e gazetarit Elton Qyno nga SPAK prej 11 orësh. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha u shpreh se SPAKU duhet të ndalojë terrorin ndaj gazetarit. Po ashtu, kryedemokrati thekson se Qynos po i kërkojnë brutalisht të tregojë burimet e informacioneve që vetë i kanë shitur.
“Stop terrorit nga Skapi i Partisë ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno. Të dashur miq, në një atentat të vërtetë ndaj lirisë së mediave dhe terrori të pashembullt dhe torture psikoligjike, skapist të papërgjegjshëm të narko-partisë mbajnë që nga ora 10:00 e mëngjesit të ngujuar në zyrat e Skapit gazetarin e mirënjohur të Ora News, Elton Qyno. Ata i kërkojnë atij brutalisht të tregojë burimet e informacioneve që i shesin vetë. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal, pengmarrje të gazetarit Qyno dhe kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm si dhe ndëshkimin e rreptë ligjor të autorëve të këtij akti që përbën një atentat të rëndë ndaj lirisë së mediave dhe rrëmbim shtetëror të gazetarit Elton Qyno. Ju bëjë thirrje mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare si dhe organizatave që merren me lirinë e mediave të solidarizohen me gazetarin Qyno dhe të dënojnë me ashpërsi narko-regjimin e Tiranës dhe skapin si vegël e tij”, ka shkruar Berisha në faqen e tij në Facebook.