Bernë: Festa e Abetares, me një program të pasur kulturor
Bëhet e ditur se në kantonin e Bernës, me rastin e përfundimit të vitit shkollor në gjuhën shqipe në Zvicër, 2022/2023, Shkolla Shqipe në Ostermundingen, me mësuesen Ida Jashari, në bashkëpunim me prindërit shqiptarë dhe Shoqatën Kulturore Shqiptare “Bashkimi”, të shtunën, më datë 10.06.2023, organizuan Festën e Abetares me një program të pasur kulturor, me këngë, valle e poezi shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Vlen të theksohet se në mesin e shumë të pranishmeve ishte dhe përfaqësuesi i Ambasadës së RSH-së në Bernë, V. Gashi, i cili përshëndeti aktivitetin dhe vlerësoi punën e mësueses znj. Ida Jashari, e cila ka dëshmuar me kohë se është një mësuese fisnike, e talentuar dhe me virtyte të çmuara për mësimin shqip në këtë rajon e më gjerë.
Ambasada vlerëson rolin e patjetërsueshëm të mësuesve të gjuhës shqipe në gjithë Zvicrën, si dhe domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të komunitetit shqiptar për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe, si një element i domosdoshëm për ruajtjen e gjuhës, traditave, kulturës e historisë shqiptare. / Embassy of Albania, Berne