Biden: Pandemia do të vazhdojë te të pavaksinuarit

Shpërndaje lajmin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve që të vaksinohen, duke thënë se koronavirusi është kryesisht pandemi në mesin e atyre që nuk janë vaksinuar, përcjell albinfo.ch.

“Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të jeni në njësi të kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni”, tha Biden në një ngjarje në Ohajo. “Është vërtet e thjeshtë. Ne kemi pandemi tek ata që nuk janë vaksinuar”, tha ai. Presidenti shtoi se vaksinimi i fëmijëve nën 12 vjeç ka të ngjarë të miratohet në javët e ardhshme, shkruan REL.

Po ashtu ai shprehu optimizëm se Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) mund t’i miratojë vaksinat për fëmijët e kësaj moshe në fund të gushtit – përpara vlerësimeve të mëparshme. “Nga bisedimet me grupin tonë të shkencëtarëve pres që në fillim të vitit shkollor, në fund të gushtit, në fillim të shtatorit, tetorit, të kemi miratimin përfundimtar”, tha Biden.

Gjithashtu ai tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka të ngjarë të lëshojnë udhëzime, që i inkurajojnë fëmijët që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, të mbajnë maska në shkolla. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, pak mbi 56.2 për qind e amerikanëve kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mesatarja 7-ditëshe e rasteve të reja me koronavirus në SHBA është rritur gjatë dy javëve të fundit, nga më pak se 13,700 sa ka qenë më 6 korrik, në më shumë se 37,000 më 20 korrik.

Sipas autoriteteve shëndetësore, kjo ka ndodhur për shkak të përhapjes së variantit më ngjitës të koronavirusit, Delta, dhe ritmeve më të ngadalshme të vaksinimit. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se mbi 99 për qind e vdekjeve nga koronavirusi në SHBA dhe mbi 97 për qind e shtrimeve në spital janë në mesin e njerëzve që nuk janë të vaksinuar.

Sipas një studimi të publikuar më 20 korrik, dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca janë efektive ndaj variantit Delta, gati sa janë kundër variantit Alfa, i cili ka qenë dominues më herët.

Studimi, i publikuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, thekson se një dozë e vaksinës nuk është e mjaftueshme për mbrojtje të madhe. Sipas studimit, dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech janë 88 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa.

Dy doza të vaksinës AstraZeneca janë 67 për qind efektive kundër variantit Delta, dhe 74.5 për qind efektive kundër variantit Alfa, thuhet në studim. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi këtë javë se varianti Delta pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm. Delta – e zbuluar për herë të parë në Indi – është regjistruar tashmë në 124 territore, 13 më shumë se javën e kaluar, tha OBSH-ja në raportin javor epidemiologjik.

OBSH-ja po ashtu tha se 3.4 milionë raste të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë – 12 për qind më shumë se në javën para asaj. “Me këtë ritëm, pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milionë në tri javët e ardhshme”, tha OBSH-ja.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka infektuar deri më tash mbi 191.9 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *