October 28, 2021

Biden përshëndet armëpushimin mes Izraelit dhe Palestinës

Shpërndaje lajmin

Në një konferencë për media, presidenti amerikan, Joe Biden, premtoi ndihmë humanitare dhe në rindërtim për Gazën, ndërsa përshëndet marrëveshjen për t’i dhënë fund 11 ditëve të luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, përcjell albinfo.ch.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë përmes Kombeve të Bashkuara dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për të siguruar ndihmë të shpejtë humanitare dhe për të qenë pas mbështetjes ndërkombëtare për njerëzit në Gaza dhe përpjekjet për rindërtimin e vendit.

Po ashtu, Biden gjatë një paraqitjeje të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, pas lajmit për marrëveshjen, gjithashtu premtoi përforcimin e sistemit Izraelit të mbrojtjes “Kupola e hekurt”, me gjithë ankesat nga e majta Demokratike rreth shitjes së armëve që SHBA-ja pritet t’ia ofrojë Izraelit.

Ai këmbënguli që ndihma për rindërtim do të sigurohej në partneritet me Autoritetin Palestinez dhe jo me Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e etiketojnë si një organizatë terroriste.

“Ne do ta bëjmë këtë në partneritet të plotë me Autoritetet Palestineze dhe jo me Hamasin, në një mënyrë që nuk lejon që Hamasi thjesht të rimbushë arsenalin e tij ushtarak”, tha Biden.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtonte në rajon në ditët e ardhshme për t’u takuar me homologët izraelitë, palestinezë dhe rajonalë për të diskutuar përpjekjet e rimëkëmbjes.

Autoriteti Palestinez, i cili drejtohet nga Presidenti Mahmoud Abbas, qeveris vetëm pjesë të Bregut Perëndimor, ndërsa Hamas mban ndikim në Rripin e Gazës.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *