Blerje rekord nga Banka e Shqipërisë e monedhës euro
Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 249 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të raportuara, sasia e valutës së blerë është rritur me 75% krahasuar me një vit më parë.
Vetëm gjatë tremujorit të katërt, në këto ankande u blenë 66 milionë euro, shumë kjo e përafërt me tremujorin e tretë të vitit.
Ndërkohë, përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka kryer dy ndërhyrje në treg nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, me qëllim për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor.
Banka e Shqipërisë bleu përkatësisht 5 milionë euro në datë 9 qershor dhe 12.1 milionë euro më datë 20 korrik, ditë kur euro pësoi rënie historike në kursin e këmbimit me Lekun.
Sipas kalendarit të ankandeve, për vitin 2024 shuma e blerjeve në tregun valutor pritet të rritet më tej, në intervalin midis 250 dhe 330 milionë eurove.
Për këtë vit në kalendar janë parashikuar gjithsej 20 ankande, mes muajve shkurt dhe dhjetor.
LEXONI GJITHASHTU:
Euro nis rënien, shënohet niveli më i ulët që nga dhjetori
Euro bie sërish, arrin në nivelet më të ulëta vjetore