Blinken u kërkon Kosovës e Serbisë zbatim të zotimeve të dala nga dialogu
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë të gjitha zotimet e dhëna në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe konstruktive nga të dy palët, Kosova dhe Serbia, për t’i stabilizuar marrëdhëniet dhe të shkohet drejt asaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë, t’i zbatojnë të gjitha përkushtimet që janë në dialog”, ka thënë ai.
Këto deklarata Blinken i bëri nga Austria, në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, ku dy liderët kanë thënë se kanë diskutuar për çështjet e Ballkanit Perëndimor.