September 25, 2021

Bosnje dhe Hercegovina shënoi sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Shpërndaje lajmin

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë u varrosën të dielën në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që u varros, ishte Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Viktima më e vjetër që u varros të dielën, ishte Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

Bosnje dhe Hercegovina shënoi sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Duke iu drejtuar të pranishmëve të dielën në Potoçari, anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, i bëri thirrje përfaqësuesit të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Valentin Inzko, që të parandalojë mohimin e gjenocidit në Bosnje, duke miratuar ligjin mbi ndalimin e mohimit, transmeton Rel, përcjell Albinfo.ch.

Xhaferoviq u bëri thirrje edhe atyre që e dinë se ku janë varret masive, që të raportojnë, “në mënyrë që viktimat, por edhe familjet e tyre të gjejnë paqen”.

Ai tha se rivendosja e besimit është plotësisht e mundur, nëse të gjithë përballen me të vërtetën.

“Na takon neve që të punojmë për të ndërtuar një shtet, në të cilin askush nuk do të jetë më i pambrojtur”, tha Xhaferoviq.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *