September 25, 2021

Bota e futbollit me sytë nga “Wembley”, Europa kurorëzon kampionin

Shpërndaje lajmin

Pas 55 vjetësh pritje Anglia rikthehet për herë të parë që nga titulli botëror i 1966-ës për të matur forcat në finalen e madhe të kampionatit evropian me përfaqësuesen e Italisë. Të pakët duhet të kenë qenë ata që kanë parashikuar në mënyrë të saktë që një muaj më parë një finale të tillë për edicionin e 16 të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh, megjithatë tani gjithcka është gati për të shijuar më në fund në Londër edhe takimin përmbyllës të këtij aktiviteti.

Në Angli të gjithë janë duke pritur me ankth dhe shumë emocion një finale, që mund të kurorëzojë kombëtaren e “tre luanëve” me trofeun e parë të rëndësishëm, pas më shumë se gjysmë shekulli. “Wembley” i ri mund të mbajë në total mbi shpatulla deri 90.000 spektatorë, sidoqoftë në takimin e fundit të skuadrës së drejtuar nga Gareth Southgate ndaj Danimarkës të pranishëm në “tempullin” e futbollit anglez ishin 65.000 vetë, për arsye të masave anti – covid. Për ndeshjen finale është parashikuar përsëri një numër pak a shumë i përafërt, që mund të shkojë deri në treçerekun e kapacitetit të plotë të këtij impianti.

Një stadium tepër modern që është inauguruar zyrtarisht më datën 24 mars të vitit 2007, si për ironi të fatit pikërisht me duelin Angli – Itali për 21-vjeçarët, takim ku “axurrët” ia dolën për të rrëmbyer një barazim me rezultatin spektakolar 3-3, falë tre golave të realizuar nga sulmuesi Giampaolo Pazzini. Në ishull jetojnë rreth çerek milioni italianë dhe ambasada e këtij shteti ju ka bërrë thirrje nënshtetasve të këtij vendi për të bërë çmos për të gjetur mënyrën për të përkrahur të dielën në mbrëmje skuadrën e tyre të zemrës.

Kryeministri Boris Johnson ka dhënë leje për vetëm 1.000 italianë, që të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar për të parë finalen, me një biletë që kushton 610 euro, ose 525 stërlina, ndërkohë në Angli fansat e shumtë vendas vazhdojnë të rifreskojnë faqen e posaçme të UEFA-s, me shpresën se mund të përfitojnë ndonjë nga biletat e kthyera në çastet e fundit. Mundësitë e tjera vijnë nëpërmjet rrjeteve sociale, ku çmimi i një bilete fillon minimalisht nga 3.000 pound, gjithsesi interesimi për një ndeshje të tillë historike është vërtet i jashtëzakonshëm.

Dy vendet figurojnë në dhjetëshen e parë të botës. Kështu Anglia renditet në vendin e katërt, ndërsa Italia pozicionohet e shtata në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate shënoi vetëm dy gola në total, në thjesht 5 tentativa gjithsej në kuadrat, përgjatë ndeshjeve të zhvilluara në fazën e grupeve. Në këtë mënyrë “tre luanët” mundën minimalisht Kroacinë dhe Republikën Ceke, ndërsa derbi i egër me Skocinë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në vazhdim anglezët mposhtën 2-0 Gjermaninë dhe 4-0 Ukrainën, por sidoqoftë vendasit kanë përfituar në maksimum nga shorti i lehtë si dhe privilegji i faktorit fushë, duke patur parasysh që 5 nga 6 ndeshjet e deritanishme “tre luanët” i kanë luajtur në shtëpi.

Në krahun tjetër Italia ka përshkuar një rrugëtim shumë herë më të vështirë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Roberto Mancini e mbylli Grupin A në vendin e parë, teksa mposhti 3-0 Turqinë dhe Zvicrën, ndërkaq pavarësisht ndryshimeve rrënjësore në formacion Italia fitoi gjithashtu 1-0 edhe duelin përmbyllës me “dragonjtë” e Uellsit. Në këtë mënyrë “axurrët” barazuan rekordin e Italisë së Valkarexhit me plot 11 takime pa pësuar. Në vijim italianët triumfuan 2-1 në sfidat e radhës me eliminim të drejtpërdrejtë, duke kaluar Austrinë dhe Belgjikën, por sidoqoftë me bardhekqutë e Franko Fodës “axurrët” fituan vetëm pas kohën shtesë.

Në fazën gjysmëfinale të dyja këto skuadra përfaqësuese patën nevojë për kohën suplementare. Kështu skuadra e Mancinit mundi me 11-metërsha Spanjën, ndërsa vendasit mundën Danimarkën, pas një penalltie plot polemika të akorduar në kohën shtesë, të dhuruar me shumë zemërgjerësi nga kryesori holandez Danny Makkelie dhe e fituar nga një lojtar i njohur e tepër problematik në situata të tilla si Raheem Sterling.

Te miqtë siç dihet do të mungojë për arsye dëmtimi lojtari më i shpejtë i këtij evropiani, mbrojtësi i majtë Leonardo Spinazzola, i cili gjithsesi ka fluturuar drejt ishullit bashkë me skuadrën, ndërsa Federico Chiesa nuk është 100% në aspektin fizik. Në krahun tjetër Gareth Southgate ka me probleme fizike vetëm mesfushorin e Manchester City-t Phil Foden.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *