April 15, 2021

Britani, vritet 21-vjeçari shqiptar pas një zënke

Shpërndaje lajmin

Mediat britanike shkruajnë se një 21-vjeçar shqiptar është vrarë në Britaninë e Madhe pas një sulmi me thikë. Mësohet se viktima është me iniciale R.G, transmeton albinfo.ch.

Standard raporton se në momentin e ngjarjes, R.G. ndodhej së bashku me një tjetër person rreth të 20-ave, i cili mbeti i plagosur. Pavarësisht se menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e emergjencës, 21-vjeçari shqiptar u shpall i vdekur në skenën e krimit. Personi tjetër, identiteti i të cilit nuk dihet, u dërgua në spital, ku mundi t’u mbijetojë plagëve.

Bëhet e ditur se këtë të enjte janë vënë në pranga dy persona. Një 31-vjeçar u arrestua nën akuzën e vrasjes, ndërsa një grua 27-vjeçare u prangos nën dyshimet për bashkëpunim në krim. Ata ndodhen në ambientet e paraburgimit në një stacion policor në Londër.

Një i afërm i viktimës, R.G. tha në Facebook se ishte i hidhëruar për këtë ngjarje tragjike. “Qofsh i parajsës, vëlla. Do të qëndrojmë të fortë për ty, sepse kështu doje të na shikoje”, shkruante ai.

Banorët në lagjen ku ndodhi ngjarja tha se dëgjuan të bërtitura fillimisht, ndërsa më pas sirenat e policisë.

“U zgjuam nga sirenat e policisë. Ishte shumë shokuese. Të gjithë banorët po më pyesnin se çfarë ka ndodhur”, tha Afzaal Kiani, i cili banonte vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë detektivi Garth Hall kërkoi bashkëpunimin e njerëzve për çdo informacion të mundshëm në lidhje me ngjarjen.

“Po kërkojmë për kamerat e sigurisë. Keni parë ndonjë aktivitet të dyshimtë në rrugë? Nëse keni parë ndonjë gjë që ju është dukur e pazakontë, qoftë kjo edhe e parëndësishme, kemi nevojë që të na e tregoni”, tha ai.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *