October 16, 2021

Bukuritë e jashtëzakonshme të Shqipërisë jashtë detit

Shpërndaje lajmin

Disa nga destinacionet e preferuara, që po kthehen në tendencën e momentit janë:  Krahina e Kurveleshit; Ujëvara e Sotirës; Lumi i Shalës; Syri i Ciklopit (4 km poshtë Krrabës); Kanionet e Erzenit; Liqeni i Bovillës; Ura e Brarit (në hyrje të Shkallës së Tujanit ku ndodhet Kalaja e Tujanit); Shpella e Pëllumbasit; Bukuroshja e Fjetur (shpella pranë burimit të Drinit të Bardhë), Pasqyrat e Gramës (në malin e Gramës, në afërsi të fshatit Sllovë), Hiking në Lëpushë dhe Vermosh, Malësi e Madhe; Kajak në liqenet Ulëz-Shkopet, Mat; Eksplorim i shpellës së Pëllumbasit, Tiranë; Karvan me mushka drejt malit të shenjtë të Tomorrit, Berat; Riverhiking dhe eksplorim i Kanioneve të Osumit, Skrapar; Rafting në lumin e egër të Vjosës, Përmet; Fluturim dyshe në Llogora, Vlorë; Ecje drejt Krorëzit dhe snorkeling, Himarë, raporton Monitor, përcjell albinfo.ch.

Krahina e Kurveleshit 

Krahina e Kurveleshit ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 70 km². Është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri 150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.). 

Ujëvara e Sotirës 

Një nga perlat e natyrës ka nisur të eksplorohet nga turistë vendas e të huaj. Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 22 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth një orë në këmbë nga fshati Sotirë nga ku ka marrë dhe emrin ujëvara. 

Në verilindje të Tomorit, ndodhet burimi i madh që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 metra derinë 20 metra lartësi. Peizazhi i shpatit ku del uji, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg. 

Lumi i Shalës 

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Është i gjatë 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Dri, buron te kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Dri (sot liqeni Koman). Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin me dorë. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, e cila vështirë të thuhet vetëm me fjalë. 

Syri i Ciklopit 

Syri i Ciklopit, ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit, ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skëterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 metra i gjerë dhe 120 metra i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës. 

Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre. 

Kanionet e Erzenit 

Këto kanione ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Erzen. Uji i këtij lumi që rrjedh në një terren shkëmbor gjatë shekujve ka krijuar kanione spektakolare. Uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve të krijon mundësi të lahesh apo të notosh. Në pjesën ku lumi ka një thyerje rreth 10 metra është krijuar një ujëvarë brenda një guve. Përpara ujëvarës te kanionet ka vaska të cilat, në stinën e nxehtë përdoren për t’u larë dhe për të bërë banjo dielli. Për të shkuar tek këto kanione ndiqet rruga që të çon në Shpellën e Pëllumbasit duke qenë se ato ndodhen poshtë saj në lumin Erzen. Lumi i Erzenit është i gjatë 108 km, me prurje rreth 102 l/sek. Kanionet e Erzenit janë një zgjedhje e mirë për çdo shpirt aventurier. Natyra e tyre ka menduar për gjithçka. 

Liqeni i Bovillës 

Bovilla ndodhet në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe liqeni i Bovillës, nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës, është përfshirë në itinerarin e disa tur-operatorëve dhe grupeve që organizojnë udhëtime në natyrë. 

Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. 

Ura e Brarit 

Ura e Brarit ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, në lindje të Tiranës, 7.6 km nga qendra e Tiranës. Ajo është gjurma e parë e rrugës në fillim të Malësisë së Tiranës në hyrje të Shkallës së Tujanit ku ndodhet Kalaja e Tujanit (antikiteti i vonë). Ura është ndërtuar vetëm nga një hark, në kyçin e të cilit kalldrëmi i urës ngrihet në formë kurrizi me pjerrësi nga të dyja anët. Mbështetjet e harkut janë vendosur mbi brigje shkëmbore që lartësohen mjaft nga shtrati i lumit. 

Shpella e Pëllumbasit 

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Për këtë shpellë dhe vendndodhjen e saj deri para disa vitesh askush nuk dinte për të, veç vendasve, por edhe prej tyre rrallë e kishin vizituar. Duke iu referuar pozicionit gjeografik, Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit. 

Bukuroshja e Fjetur 

Shpella e Radacit, apo siç po quhet “Bukuroshja e Fjetur”, ndodhet pranë burimit të Drinit të Bardhë, afër 11 kilometra larg qytetit të Pejës. Hyrja e shpellës është e orientuar nga verilindja, në lartësinë mbidetare prej 578 metra. 

Shpella është krijuar kryesisht nga rrjedha e Drinit të Bardhë, që dikur kalonte nëpër këto korridore por, me kohë uji ka ndryshuar rrjedhën dhe uji nuk kalon më. Si rezultat i rrjedhës së ngadalshme të ujit janë krijuar edhe vaskat të cilat edhe njëherazi paraqesin edhe pjesën më të veçantë të shpellës. 

Pasqyrat e Gramës 

Ndodhen në malin e Gramës, në afërsi të fshatit Sllovë, 1900 metra mbi nivelin e detit. Përbën një gur të madh me përbërje gipsore të llojit selenit, që shkëlqen. Prandaj ka marrë edhe emrin “pasqyrat”. Është e gjatë deri në 500 metra, e gjerë deri në 200 metra. Kanë vlera shkencore, didaktike e kulturore. Vizitohet, duke marrë rrugën Peshkopi – Sllovë dhe pastaj vazhdohet më këmbë për tek monumenti. 

Hiking në Lëpushë dhe Vermosh, Malësi e Madhe 

Në Kelmend është një luginë me origjinë akullnajore, në 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës janë shpatet malore të mbuluara me pyje dhe kullota. Ka 45 maja me lartësi mbi 2,000 metra, secila prej tyre me një emër të vetin. Bimësia përbëhet kryesisht nga pemët e ahut dhe bredhat. Është e njohur për peizazhet dhe reshjet e borës që zgjat rreth 100 ditë çdo vit. 

Kajak në liqenet Ulëz-Shkopet, Mat 

Parku Natyror Rajonal i Ulzës ndodhet jo larg Tiranës, rreth një orë e gjysmë me makinë dhe kajak mund të bëjnë të gjithë personat që e duan ujin dhe pëlqejnë natyrën dhe gjelbërimin. Veç ajrit të pastër, ajo çka i tërheq vizitorët është ushqimi natyror dhe i freskët. Peshku i liqenit, si dhe produktet e qumështit të bagëtive që kullosin përreth, i japin drekës shijen tipike të zonës. 

Eksplorim i shpellës së Pëllumbasit, Tiranë 

Shpella e Zezë e njohur ndryshe edhe si Shpella e Pëllumbasit, monument natyre, (650 metra mbi nivelin e detit), është cilësuar si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë. 

Skeletet e gjetura në këtë shpellë, sipas Muzeut të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Firences, i përkasin ariut të shpellave (Ursus Speleaus), që ka jetuar 400.000 deri 10.000 vjet më parë. Në të gjithë Europën, janë vetëm pesë shpella të tilla. 

Karvan me mushka drejt malit të shenjtë të Tomorrit, Berat 

Nëse doni të vizitoni një nga malet me madhështore të Shqipërisë dhe të përjetoni bekimin dhe harmoninë nga faltorja e perëndive, duke zotëruar një pamje të të gjithë horizontit bashkohuni në shëtitjen me mushka drejt malit të Tomorrit. Gjatë periudhës antike dhe mesjetare dhe në letërsinë romantike, ky mal është përfytyruar si Olimpi i Shqiptarëve dhe shtëpia e zanave të maleve, Orakulli që parathotë të ardhmen e kombit. 

Riverhiking dhe eksplorim i Kanioneve të Osumit, Skrapar 

Vizitoni Kanionin e Osumit, një nga atraksionet më spektakolare natyrore në Europë, duke notuar në një pishinat natyrore të rrethuara nga ekosistemi unik dhe i gjelbër i kanionit. Ecni përgjatë brigjeve të lumit Osum, përmes një peizazhi të paprishur me pyje dhe bimë mesdhetare. Vizitoni pikat interesante si Katedralja, Ujëvara e Dashurisë, Porta e Djallit, Koka e Krokodilit dhe përjetoni ndjesinë si të jeni personazh i filmave Avatar, Mbreti i Unazave dhe Tarzani. 

Rafting në lumin e egër të Vjosës, Përmet 

Ndihmoni për të ruajtur biodiversitetin e lumit të Vjosës duke përjetuar rafting në qytetin e vogël dhe të dashur të Përmetit. Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të rrjedhshëm të Europës, në të gjithë rrjedhën 270 km është i egër, i pandotur dhe i stolisur me kanione të bukura, ishuj të vegjël dhe ujë të kristaltë. Për t’u relaksuar në mbrëmje, ju mund të vizitoni Banjat Termale të Benjës dhe të ngjiteni në kanionin e Langaricës ku mund të çlodheni dhe të notoni në ujërat e tyre natyrore. 

Fluturim dyshe në Llogora, Vlorë 

Parku Kombëtar i Llogorasë është vendi me peizazhin më të bukur për fluturim dyshe. Pranë Qafës së Llogorasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë, si rezultat i baticave dhe erës. Një shembull i mrekullueshëm është “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike. Ky park ka peizazh tërheqës dhe fusha karakteristike me pikë dominuese. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga halorë të tillë si pisha e zezë. 

Zhytje nënujore në Sarandë 

Pak vende të tjera në botë mund të kenë një vijë bregdetare kaq të pashkelur. Këtu mund të shihni një anije italiane transporti, e zhytur 300 metra nga gjiri i Sarandës në vitin 1944. Kjo është një anije prej 120 metrash. Zhytësit mund të eksplorojnë këtë rrënojë në thellësi nga 4 në 21 metra. Asnjë rrymë. Dukshmëria 8 – 12 metra. 

Ecje drejt Krorëzit dhe snorkeling, Himarë 

Lukova është një fshat i vogël, tradicional me plazhe të mrekullueshme dhe ujëra blu turkeze. Kur të arrini, ju do të filloni një ecje relativisht të lehtë në një nga plazhet më të bukura në këtë zonë, Krorëz. Mundësi për të parë atë që ky liman i paprishur ka për të ofruar; duke eksploruar ujërat e kristaltë me snorkeling. 

Çiklizëm në Korçë 

Pedalimi është një prej alternativave më joshëse që ofron Korça. Është koha ta zbuloni magjinë nëpërmjet 19 itineraresh, 864 kilometrash pedalim në qytet e përmes fushash pjellore bujqësore, breg liqenesh mahnitës, majash që të ndalin frymën dhe peizazhe piktoreske që të mbeten në kujtesë. Do të ndaloni nëpër fshatra turistike ku nuk është gabim t’i dorëzoheni tundimit për të provuar edhe pak verë ose raki, ndërsa shuani urinë me shijet më të mira të kuzhinës vendase. 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *