Bullgaria anulon programin e “vizave të arta”

Shpërndaje lajmin

Muajin e kaluar kryeministri bullgar, Kiril Petkov, njoftoi se skema polemike e shtetësisë në këmbim të investimeve në vend do të ndërpritej së shpejti, raporton SchengenVisaInfo.com.
“Programi i vizave të arta”, i njohur si “skema e nënshtetësisë me investim”, u mundësonte të huajve të fitonin leje qëndrimi në Bullgari, nëse kryenin një investim prej të paktën 500,000 eurosh (550,000 dollarë) në vend, ose shtetësinë bullgare, nëse investonin gjithsej 1 milion euro (1.1 milionë dollarë) në vend.
Mbajtësit e “Vizës së Artë”, së bashku me familjarët, kishin të drejtë të udhëtonin pa viza, në të gjitha shtetet e zonës “Schengen”.
Muajin e kaluar autoritetet bullgare njoftuan se programi do të ndërpritej, pasi qeveria deklaroi se do të paraqiste projektligjin në Parlament.
Megjithatë, në atë kohë, u raportua se projektligji që u mbështet nga një numër i madh politikanësh bullgarë, do të kishte nevojë fillimisht për miratimin e qeverisë.
Lidhur me këtë, kryeministri tha se programi do të hiqet për shkak të “mungesës së investimeve reale në ekonomi, që mund të nxisin hapjen e vendeve të punës”.
“Kjo është një nga pengesat kryesore për anëtarësimin në ‘Schengen’ dhe për heqjen e vizave me SHBA-në. ‘Pasaportat e arta’ janë një e metë dhe eliminimi i tyre është prioriteti ynë”, theksoi kryeministri në Televizionin Kombëtar Bullgar.
Përveç kësaj, Ministria e Drejtësisë tha se skema nuk çoi në investime reale në Bullgari, siç raporton Euractiv.
Vendimi për të shfuqizuar programin e “vizave të arta” nga deputetët bullgarë, erdhi pasi skema u dënua nga Parlamenti Europian, duke marrë parasysh sanksionet perëndimore që synojnë oligarkët rusë për pushtimin e Ukrainës, siç raportohet nga “Al Jazeera”.
Përfituesit kryesorë nga Programi i Vizave të Arta ishin shtetasit nga Rusia, Kina dhe nga vendet e Lindjes së Mesme.
Për shkak të luftës në Ukrainë, disa vende europiane, përfshirë Republikën Çeke, Greqinë, Irlandën, Maltën, Portugalinë dhe Spanjën, kanë pezulluar Programin e Vizave të Arta për qytetarët rusë.
Në fillim të këtij muaji, anëtarët e Parlamentit Europian u bënë thirrje vendeve europiane që t’u japin fund skemave të tilla. Deputetët kërkuan gjithashtu që të ndërpritet lëshimi i “pasaportave të arta”.
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *