Bundestagu miratoi zgjatjen e misionit gjerman në KFOR

0
Shpërndaje lajmin

Parlamenti gjerman miratoi të premten pasdite (26.05.2023) vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në Trupën Paqeruajtëse të Kosovës, KFOR.

Bundestagu dha dritën e gjelbër  për zgjatjen edhe me një vit të pranisë së ushtarëve gjermanë në KFOR. Kërkesa përkatëse e qeverisë gjermane, e cila para dy javësh u pranua për shqyrtim nga Parlamenti,  u miratua me vota nga tri partitë e koalicionit të qendrës së majtë (socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe liberalët) dhe partia e opozitës, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial  (CDU/CSU). Partitë majtiste dhe djathtiste, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë, votuan kundër. Votimi për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në Kosovë është i hapur dhe me emër. Nga 601 deputetët që dhanë votën,  506 votuan pro, 93 kundër dhe 2 abstenuan, bëri të ditur në fund të votimit Wolfgang Kubicki, zëvendëspresident i Parlamentit. Parlamenti gjerman në këtë periudhë legjislative ka gjithsej 736 deputetë.

Brand kritikon udheqjen serbe
Shumica e folësve në debatin 40-minutësh theksuan domosdoshmërinë e prezencës gjermane në kuadër të KFOR-it, si faktor stabilizues në rajon. Ata vunë në dukje rëndësinë e perspektivës së Kosovës në BE, por nuk  i kursyen  kritikat edhe në drejtim të udhëheqjes së Serbisë për mungesën e distancimit nga periudha e Miloseviçit dhe afrinë me Rusinë. Kështu për shembull, Michael Brand, nga CDU/CSU, i kujtoi qeverisë gjermane disa, siç i quajti, “të vërteta të pakëndshme” për udhëheqjen e Serbisë, e cila me retorikën nacionaliste dhe politikën provokatore mban të ndezur rrezikun e shpërthimit të një lufte të re në rajon.
Kritikë ushtroi Brand edhe për afrinë e Beogradit me Moskën, duke kujtuar shprehimisht paktin mes Serbisë dhe Rusisë në shtator 2022 për harmonizimin e politikës së jashtme. Fakti, që ky pakt u bë pas fillimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë është skandaloz, tha Brand. Ai kërkoi nga qeveria gjermane që “të mos e deformojë më realitetin” dhe paralajmëroi: “Ne nuk duhet t’i përsërisim të njëjtat gabime dhe dështime që e ftuan Putinin në luftë, dhe që në vitet 90 e kishin ftuar Milosheviçin në luftërat e tij”.
Hacker bën thirrje për implementim të marrëveshjes Kosovë-Serbi
Në debat ishte e pranishme edhe ministrja e jashtme, Annalena Baerbock. Folës nga partitë e koalicionit të qendrës së majtë përdorën një gjuhë më të moderuar dhe u munduan të vënë në pah arritjet e bëra gjatë këtij viti në afrimin e Kosovës me BE: Aplikimi i Kosovës për statusin e një vendi kandidat në BE, plani për normalizimin e marrëdhënieve,  dinamika e re në Procesin e Berlinit, të cilit do t’i shtohet edhe një komponent parlamentar. /DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *