Carla Del Ponte kërkon urdhërarrest për Putinin

Shpërndaje lajmin

Ish-kryeprokurorja e OKB-së, Carla Del Ponte, ka përsëritur thirrjen e saj për një urdhër arresti ndërkombëtar për presidentin rus Vladimir Putin, transmeton albinfo.ch.
Putin mund të sillet para Gjykatës Ndërkombëtare Penale vetëm kur ai nuk do të jetë më në detyrë, por gjyqësori është i durueshëm, ka thënë ajo në një aktivitet në qytetin zviceran, Ascona, në Kantonin e saj të lindjes, Tiçino.
“Nuk ka parashkrim (vjetërsim) për këto krime. Dhe Putini nuk do të mbetet president përgjithmonë”, është shprehur ajo.
Avokatja e tashme zvicerane, Carla Del Ponte ishte Kryeprokurore e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ruandën. Ajo ishte gjithashtu pjesë e një komisioni të OKB-së që hetonte shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri.
Tani është e rëndësishme të mblidhen prova të krimeve të luftës në Ukrainë, ka thënë Del Ponte, transmeton albinfo.ch. Ajo ka thënë se e njeh Putinin për një kohë të gjatë. “Në bombat thërrmuese në Siri janë parë simbole ruse. Dua të di se cilat janë shenjat në bombat thërrmuese në Ukrainë”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.