Çekia alarmon për stërmbushje të kapaciteteve spitalore

Share

stacion intensiv korona bazel 5

Republika Çeke është duke u përballur me mbushje të kapaciteteve në dhomat e kujdesit intensiv, ndërkohë që numri i të infektuarve vazhdon të rritet në vendin e prekur më së keqi brenda Bashkimit Evropian, ka thënë ministria çeke e Shëndetësisë të martën.

Ky shtet është në vendin e parë sa u përket infektimeve të reja për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit dhe është dyta për numrin e vdekjeve pas Sllovakisë, raporton agjencia e lajmeve AFP.

“Ne jemi duke iu afruar tejkalimit të kapacitetit në kujdesin intensiv”, ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë, Vladimir Cerny, para gazetarëve, duke fajësuar edhe mungesën e stafit të kualifikuar për këtë situatë.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të mbajmë standardet aktuale të kujdesit shëndetësor dhe po përballemi me vonesa dhe shtyrje në departamentet jashtë COVID-19. Sistemi në përgjithësi është afër limitit”, ka shtuar ai.

Të martën, Republika Çeke ka regjistruar më shumë se 1,300 pacientë në kujdesin intensiv, duke përfshirë 660 në ventilatorë, ka shtuar Cerny.

Ky shtet anëtar i BE-së ka regjistruar mbi 1.16 milion raste me koronavirus dhe më shumë se 19,500 viktima, prej kur ka nisur pandemia.

Cerny ka thënë se qeveria tani duhet t’i kërkojë zyrtarisht Gjermanisë për t’i pranuar pacientët nga rajonet më të goditura të Republikës Çeke.

Për të rritur masat e sigurisë, qeveria ka urdhëruar vendosjen e maskave FFP2 apo dy maskave kirurgjikale në ndërtesa publike, dyqane dhe transportin publik, nga dita e enjte.

Restorantet, kinematë, teatrot dhe shumica e dyqaneve vazhdojnë të jenë të mbyllura, ashtu sikurse shkollat, me përjashtim të kopshteve për fëmijë dhe fëmijëve në klasën e parë.


Share

Komente